Turizmi “ndez motorët” në qershor, 20.6% më shumë vizitorë të huaj në Shqipëri

Qershori i hapi rrugën një tjetër vere me fluks të lartë turistësh në Shqipëri. Këtë e konfirmojnë të dhënat e publikuara këtë të hënë nga INSTAT. Sipas raportit, numri i vizitorëve të huaj të akomoduar në hotele, apartamente turistike dhe struktura të tjera të akomodimit u rrit me 20.6% krahasuar me qershorin e vitit 2025.
Në të njëjtën kohë, edhe numri total i vizitorëve të akomoduar shënoi një rritje prej 17%, çka tregon se kërkesa për pushime në Shqipëri ka vijuar të jetë në rritje edhe në fillim të sezonit veror.
Pikërisht bregdeti ishte ai që përthithi pjesën më të madhe të këtij fluksi. Gjatë qershorit, në zonat bregdetare u akomoduan 323.426 vizitorë të huaj, ndërsa një vit më parë ishin 253.867. Kjo përkthehet në një rritje prej 27.4%, ritmi më i lartë i regjistruar mes të gjitha zonave turistike të vendit.
Edhe zonat jo bregdetare shënuan rritje të vizitorëve të huaj, megjithëse me ritme më të moderuara. Numri i tyre arriti në 122.420, ose 5.7% më shumë krahasuar me qershorin e vitit të kaluar.
Rritja nuk u reflektua vetëm te numri i turistëve, por edhe te netët që ata kaluan në strukturat akomoduese. Sipas INSTAT, net-qëndrimet u shtuan me 9.8% në krahasim me qershorin 2025. Vizitorët e huaj regjistruan një rritje prej 9.2% të net-qëndrimeve, ndërsa për vizitorët rezidentë rritja ishte edhe më e lartë, 11.8%. Edhe numri i vizitorëve rezidentë u rrit me 7%.
Pjesa më e madhe e turistëve të huaj zgjodhën të akomodohen në hotele dhe struktura të ngjashme. Gjatë muajit qershor, këto struktura pritën 401.836 vizitorë të huaj, kundrejt 336.226 që ishin në të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Në rritje ishte edhe interesi për strukturat e akomodimit për pushime dhe qëndrime të tjera afatshkurtra. Në qershor ato regjistruan 39.457 vizitorë të huaj, nga 27.227 që kishin pritur një vit më parë, duke reflektuar zgjerimin e ofertës turistike edhe përtej hoteleve tradicionale.
Fluksi më i lartë i turistëve u pasqyrua edhe në përdorimin e kapaciteteve akomoduese. Norma e shfrytëzimit të dhomave në hotele arriti në 41.3%, nga 39.5% që ishte në qershor 2025, ose 1.8 pikë përqindjeje më shumë.
Sa i përket vendeve nga vijnë turistët, Kosova vijon të mbajë vendin e parë. Vizitorët nga Kosova përbëjnë 15% të totalit të turistëve të huaj të akomoduar në Shqipëri. Pas saj renditet Italia me 14%, ndërsa Polonia zë vendin e tretë me 13%. Franca dhe Gjermania përfaqësojnë nga 7% secila, ndërsa 44% e vizitorëve vijnë nga vende të tjera.


