Policia forcon luftën ndaj krimeve mjedisore, Lamallari: Çdo zjarr i dyshimtë do të hetohet

Në Policinë e Shtetit do të ketë një njësi të re me fokus të posaçëm krimet mjedisore. Kështu u shpreh ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, në një takim me drejtuesit vendorë te Policisë së Shtetit në 12 qarqe. Bashkë me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, Ministri i Punëve të Brendshme ka kërkuar një qasje më proaktive për zjarret, ndryshe nga e shkuara.
"Për Policinë, zjarri nuk përfundon kur fiket. Aty fillon pyetja se pse ndodhi, kush e shkaktoi dhe nëse pas tij fshihet një vepër penale. Detyra jonë është që çdo zjarr të dyshimtë të hetohet profesionalisht, në bashkëpunim të ngushtë me shërbimin zjarrfikës, Emergjencat Civile, bashkëpunimi me komunitetin, shfrytëzimi i teknologjisë dhe ekspertizës më të mirë forenzike brenda dhe jashtë vendit, si dhe Prokurorinë, me qëllim që çdo provë dhe autor i dyshuar të ndiqet deri në fund. Vetëm zjarret këtë vit, dëmi i tyre është i pallogaritshëm, si në fondin pyjor. Sa vite, sa gjenerata i duhet atij fondit pyjor të rikuperohet ", deklaroi ministri Lamallari.
Ndërkohë drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, kërkoi nga drejtuesit vendorë më shumë angazhim për sigurinë publike, sigurinë rrugore dhe sigurinë detare.
"Kushtojini rëndësi të tre komponentëve të sigurisë: Sigurisë Publike, Sigurisë Rrugore dhe Sigurisë Detare. Reagoni në kohë, si në parandalim, ashtu edhe në ndjekjen dinamike dhe profesionale të konflikteve dhe shqetësimeve të qytetarëve.
Çdo komponent i sigurisë kërkon angazhim dhe përgjegjshmëri, dhe rezultatet varen nga mënyra se si secili prej nesh e përmbush detyrën.
Kur flasim për performancë, nuk flasim vetëm për rezultatet që arrijmë në terren. Performanca është edhe mënyra se si sillemi me qytetarët, mënyra si komunikojmë me ta dhe mënyra si komunikojmë me median. Qytetarët duhet ta kenë Policinë pranë, të marrin përgjigje në kohë dhe të shohin profesionalizëm në çdo situatë. Ju falënderoj për punën dhe angazhimin tuaj dhe pres që këto porosi t’i shikoj të reflektuara në punën tuaj të përditshme", deklaroi Hita


