Teza doli në internet para se të mbaronte provimi, “Arsimi”: Orkestrim politik, padi atij që e nxori

Aktualitet

Teza doli në internet para se të mbaronte provimi,

Ministria e Arsimit ka reaguar duke deklaruar se do të kallëzojë penalisht personin që ka nxjerrë testin e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë të Maturës Shtetërore 2021 në Facebook, teksa provimi ishte duke u zhvilluar.

Ministria akuzon se ky rast, apo çdo rast tjetër i ngjashëm me të, që “orkestrohet qëllimisht nga individë të ngarkuar politikisht do të çohen para drejtësisë në mënyrë që të mos cënohet procesi i Maturës Shtetërore”.

“Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR) me shumë shqetësim e ka ndjekur rastin e sotëm të publikimit të pyetjeve pas fillimit të provimit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë të Maturës Shtetërore 2021.


Vëmë në dijeni opinionin publik se ky rast, apo çdo rast tjetër i ngjashëm me të, që orkestrohet qëllimisht nga individë të ngarkuar politikisht do të çohen para drejtësisë në mënyrë që të mos cënohet procesi i Maturës Shtetërore. Ndjejmë keqardhje që ata gjejnë mënyrën më të pahijshme për të injektuar panik të panevojshëm tek maturantët dhe tek prindërit e tyre, ndërsa duhet të ishin bashkëpunues për të mirën e arsimit.

MASR do të kallëzojë penalisht shtetasin, i cili ka publikuar testin e Maturës Shtetërore të Gjuhës shqipe dhe Letërsisë të datës 7.6.2021 në rrjetet sociale gjatë kohës kur provimi ishte ende duke u zhvilluar, si dhe të gjithë pjesëmarrësit në procesin e Maturës Shtetërore të cilët kanë shkelur rregullat duke fotografuar dhe dërguar jashtë qendrave të provimit këtë test, gjatë kohës që ishte duke u zhvilluar. 

Publikimi i testit në rrjete sociale pasi provimi kishte filluar NUK ka ndikuar në mbarëvajtjen e këtij provimi, teksa vlen të nënvizohet se i gjithë procesi është zhvilluar në zbatim të Rregullores së Maturës Shtetërore.


MASR dhe institucionet e saj të varësisë sigurojnë maturantët dhe prindërit e tyre se provimet janë zhvilluar dhe do të zhvillohen me të njëjtin përkushtim e vullnet për të realizuar një administrim të suksesshëm të këtij procesi” mbyllet reagimi.

Rreth 34 mijë maturantë në të gjithë vendin teksa po i nënshtroheshin provimit Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, teza doli në rrjetet sociale.

Pavarësisht se rregullorja iu ndalon telefonat në klasë nxënësve dhe administratorëve gjatë testit varianti “A” i tij u fotografua dhe u shpërnda në “Facebook” rreth gjysmë ore pas fillimit të provimit.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion