Qëllohet me vezë makina e Ramës, kryeministri përballet me protestuesit rrugës për në Asamblenë e PS-së

Kryeministri Edi Rama është përballur me një protestë gjatë rrugës drejt Gjirit të Lalëzit, ku po zhvillohet mbledhja e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste.
Teksa po udhëtonte drejt vendit ku ishte planifikuar takimi me socialistët, Rama është ndalur në Manëz nga një grup të rinjsh, të cilët kanë protestuar kundër tij, duke qëlluar me vezë në drejtim të automjetit me të cilin po lëvizte kreu i qeverisë.
Në pamjet e publikuara dëgjohen të rinjtë duke përsëritur thirrjen që është përdorur edhe në protestat e mëparshme: “Rama në burg, Berisha në burg”.
Protesta ka ndodhur në një moment kur vëmendja politike është përqendruar te mbledhja e Asamblesë së PS-së në Lalëz, ku kryeministri pritet të mbajë një fjalim përpara drejtuesve dhe anëtarëve të strukturave socialiste.
Nuk dihet nëse ka pasur përplasje të tjera mes protestuesve dhe personave që shoqëronin kryeministrin, ndërsa nga pamjet duket momenti kur të rinjtë i drejtohen me thirrje kundërshtuese dhe hedhin vezë në drejtim të automjetit.
Shihni pamjet e protestës këtu...


