Tentoi të vriste të vëllanë me hanxhar, kush është Gazmend Merkaj që u arrestua në Vlorë

Gazmend Merkaj, i cili u vendos në pranga këtë të premte në Vlorë për shkak se ka tentuar që të vrasë me hanxhar të vëllanë e tij, është një person i skeduar nga autoritetet e qytetit bregdetar
Rreth 3 vite më parë ai tregoi disa prej krimeve të rënda në Vlorë ndërsa pas vetëdorëzimit nga frika e hakmarrjes, ai u dënua me 3.4 vite burg për armëmbajtje pa leje nga Gjykata e Fierit. Merkaj denoncoi rrëmbime dhe në vrasje që kanë ndodhur në këtë qark.
I riu u vetëdorëzua në Gusht të 2018 në policinë e Vlorës pas frikës se mund të ekzekutohej nga disa persona që ai i njihte dhe i kishte bashkëpunëtorë në të shkuarën, moment që dorëzoi edhe një armë zjarri pa leje që e mbante me vete për ç’ka edhe u dënua.
Ky dënim me 3.4 vite burgim i Merkaj është dhënë pas një gjykimi të shkurtuar dhe pas tij e ka apeluar në gjykatën e Apelit Vlorë. Rrëfimi i të penduarit solli dy të ndaluar nga prokuroria dhe disa persona të vrarë mes bandave rivale, në Fier.
Merkaj e nisi rrëfimin e tij duke treguar një krim të rëndë, vrasjen dhe zhdukjen e Albano Xhaferit në Vlorë. Ai tregon se ndjehej i kërcënuar për t’u vrarë, nga anëtarët e grupit kriminal të përbërë mes të tjerëve sipas tij edhe nga Ardit Kola, Aleksandër Çaushaj dhe Ilir Shakaj.
Këta persona sipas Merkajt, kanë vrarë me çekiç në makinë Albano Xhaferin dhe më pas trupin e tij e kanë zhdukur, veprim i kryer sipas tij për llogari të Edison Harizaj, i ekzekutuar edhe ky i fundit 3 vite më parë në Durrës. Pas dëshmisë së tij prokuroria urdhëroi arrestimin e dy personave.
Në dosjen hetimore zbulohet se Albano Xhaferi është vrarë për shkak të mosmarrëveshjeve që mund të ketë pasur brenda ose jashtë shtetit me persona të tjerë dhe trupi është transportuar dhe fshehur për të bërë të pamundur zbardhjen e ngjarjes.
Por me sa duket, pavarësisht dënimit, Gazmend Merkaj nuk ka hequr dorë nga veprimet e tij që bien ndesh me ligjin, dhe këtë herë ka dhubnuar të vëllanë. Policia ka parandaluar një krim që mund të kishte pasur pasoja të rënda në familjen e 39-vjeçarit, pasi ky i fundit e ka dhunuar dhe ka tentuar të vrasë vëllanë e tij me hanxhar. Ngjarja ndodhi në lagjen “24 Maji”, në ambientet e banesës, ndërsa blutë e Vlorës kanë arritur ta prangosin.

