"SPAK ka tronditur vendin", Altin Dumani zbulon shifrën: Kemi sekuestruar 150 milionë euro asete

Altin Dumani, kreu i SPAK për herë të parë ka pranuar të dalë në një intervistë televizive. Si kurrë më parë, kryeprokurori ka vendosur të flasë mbi punën e SPAK, por edhe punën e tij në këto dy vite.
Ndër të tjera në hyrje Dumani u shpreh se nuk ka pranuar të dalë në intervista, pasi kryeprokurori ka për detyrë të bëjë punën e tij, dhe jo të dalë në media.
Dumani ka treguar se kush janë tre pikat kryesore ku është fokusuar SPAK: Lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe terrorizmit.
Por gjithashtu shton se një pikë ku SPAK është fokusuar në sekuestrimin e pasurive të përfituara nga korrupsioni si dhe krimi i organizuar.
“SPAK ka tronditur thellë kulturën e pandëshkueshmërisë, askush nuk është i paprekshëm. Nëse dikush kapet në shkelje të ligjit, ai do vendoset para ligjit.
3 janë prioritetet e SPAK-ut, lufta ndaj korrupsionit, krimit të organizuar dhe terrorizmit.
Momentalisht jemi fokusuar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar se terrorizmi nuk është aq shqetësues për Shqipërinë. SPAK deri tani ka dëshmuar se është në gjendje të ushtrojë ndjekjen penale ndaj çdo subjekti, pavarësisht pozitës së tij. Sado i lartë që ketë qenë apo është ai.
Ne këtë po e bëjmë me prova dita- ditës. Kemi ushtruar hetime në disa nivele të larta, të mesëm, si dhe funksionarë të ndryshëm në nivel lokal dhe qendror. Lidhur me krimin e organizuar, që më parë as mendoheshin se do hetoheshin, kemi një bilanc ku janë sekuestruar 150 milionë euro asete, një shumë kjo e madhe. SPAK-u ka goditur thellë kulturën e pandëshkueshmërisë”, - tha Dumani.


