Shpërthen një depo fishekzjarrësh në Kaliforni, zhduken 7 persona

Shtatë persona rezultojnë të zhdukur pasi një depo e mbushur me fishekzjarre shpërtheu mbrëmjen e djeshme në Kaliforninë Veriore, kanë bërë të ditur zyrtarët.
Shpërthimi ndodhi në një objekt piroteknikesh në Esparto, Qarku Yolo, duke shkaktuar një seri shpërthimesh të fuqishme që nisën rreth orës 18:02, sipas autoriteteve të zjarrfikësve.
"Ekipet e ndihmës së shpejtë dhe hetuesit po punojnë me zell me pronarin e pronës për të përcaktuar vendndodhjen e këtyre individëve", thanë në një deklaratë të përbashkët të mërkurën Cal Fire dhe Distrikti i Mbrojtjes nga Zjarri i Espartos.
Zona ku ndodhi ngjarja vijon të jetë nën urdhër evakuimi, pasi autoritetet paralajmërojnë për një rrezik të vazhdueshëm.
Ndërsa, zyrtarët thanë se rreziku është ulur që prej së martës, kufizimet mbeten në fuqi derisa të përfundojë plotësisht vlerësimi i sigurisë.
Zyra e Marshallit të Zjarrfikësve të Shtetit të Kalifornisë bëri të ditur se depoja dyshohet t’i përkasë një operatori të licencuar të lëndëve piroteknike.
Ndërkohë, hetuesit po punojnë për të përcaktuar nëse operacioni është përputhur me rregulloret strikte të lëndëve piroteknike të Kalifornisë dhe kërkesat federale për ruajtjen e lëndëve shpërthyese.


