Reforma Territoriale/ Haxhimali: Propozimi i PS-së cenon shërbimet, të rigrupohen njësitë administrative

Eksperti i qeverisjes vendore, Agron Haxhimali, deklaroi se propozimi i Partisë Socialiste për shkrirjen e 15 bashkive në kuadër të Reformës së re Territoriale, nuk zgjidh problematikat e pushtetit vendor, por cenon shërbimet dhe krijon paqëndrueshmëri institucionale.
I ftuar në News24, Haxhimali tha se çdo reformë që prek arkitekturën e sistemit të qeverisjes vendore duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe e studiuar mirë. Ai solli si shembull propozimin që Rinasi të kalojë nga Bashkia Krujë në Bashkinë Tiranë, duke ngritur pikëpyetje mbi përfitimet që do të ketë komuniteti lokal.
“Rinasi do të kalojë nga Kruja në Tiranë që të mirat t’i marrë Tirana. Me çfarë të drejte? Kjo është zgjidhja? Reforma duhet të jetë gjithëpërfshirëse”, tha ai.
Haxhimali u shpreh se Shqipëria duhet të ruajë 61 bashkitë e krijuara pas reformës territoriale të vitit 2014, pasi, sipas tij, tashmë është krijuar një kulturë administrative, politike dhe sociale, ndërsa qytetarët janë mësuar me mënyrën e funksionimit të tyre.
Ai vuri theksin edhe te problematikat e zonave rurale, ku, sipas tij, jeton rreth 40% e popullsisë dhe ku mungesa e shërbimeve mbetet sfida kryesore.
“Kur bëhen reforma të tilla strukturore dhe cenohet ariktektura e sistemit vendor cenohen shërbimet dhe krijohet paqëndrueshmëri institucionale. Është krijuar një rrëmujë në qeverisjen vendore. Unë s’dua të ngre asnjë paragjykim për interesa politike, por kjo është metodë ballkanase që kur do më pak nuk tërhiqet. Kjo nuk është vetëm çështje numrash por sistemi dhe kulture.
Rinasi do të kalojë nga Kruja në Tiranë që të mirat t’i marrë Tirana. me çfarë të drejte? Kjo është zgjidhja? Refoma duhet të jetë gjithëpërfshirëse. Qeveria ka vendosur që përmes FSHZH të ngrenë një operator qendror me një buxhet 65 miliardë lekë për menaxhimin e mbetjeve për bashkitë. Janë investuar miliarda lekë për bashkitë, po ashtu dhe donatorët dhe të gjithë kanë gënjyer që u forcuan bashkitë. Nuk forcohen bashkitë me propagandë, nëse nuk forcohet sistemi zgjedhor, financiar, administrativ dhe kapacitetet. Edhe nëse bëhen 12 bashki nëse s’ka vullnet që buron nga qytetarët do të kemi këto probleme.
Shqipëria duhet të mbajë 61 bashkitë që kishte sepse ka një kulturë administrative, politike dhe sociale, sepse njerëzit janë mësuar ku të adresohen pas 2014.
Pjesa problematike mbetet 40% e popullsisë që jeton në zonat rurale sepse kanë mbetur pa shërbime. Duhet të bëheshin rigrupimet e Njësive të Qeverisjes Vendore dhe të kishin entitetin e tyre, në mënyrë që të ofroheshin shërbime. Kështu krijoheshin bashki urbane dhe hibride. Reforma pati probleme sepse nuk funksionoi në zonat rurale dhe këtë e pranoi dhe qeveria, tani erdhëm me deduksion në kah të kundërt”, tha ai.


