Euro prek nivelin më të ulët historik në Shqipëri/ Zhvlerësohet me gati 20% në katër vite

Euro ka mbyllur muajin korrik në nivelin më të ulët të regjistruar ndonjëherë në tregun vendas. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye këtë të premte me mesatarisht 93.5 lekë.
Krahasuar me korrikun e vitit 2022, kur nisën efektet e para të dobësimit të monedhës europiane, euro është zhvlerësuar me rreth 20%. Në atë periudhë, një euro këmbehej me 117.4 lekë, ndërsa sot ka zbritur në 93.5 lekë.
Rënia e monedhës europiane është thelluar gjatë muajve të fundit, veçanërisht me afrimin e sezonit turistik veror, për shkak të hyrjeve të larta të valutës nga turistët, emigrantët dhe aktiviteti ekonomik.
Për të frenuar një dobësim të mëtejshëm të euros dhe për të ruajtur stabilitetin e kursit të këmbimit, Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë në treg përmes blerjes së valutës.
Si rezultat, rezerva valutore e vendit ka arritur një nivel rekord prej 7.8 miliardë eurosh në fund të qershorit, nga 6.7 miliardë euro në të njëjtën periudhë të një viti më parë.


