BE ngre akuza ndaj Temu-së, Komisioni Evropian: Kompania nuk bashkëpunoi gjatë kontrollit në selinë e saj

Komisioni Europian ka akuzuar platformën kineze të tregtisë elektronike Temu se nuk ka bashkëpunuar siç kërkohej gjatë një kontrolli të befasishëm në selinë e saj europiane në Dublin.
Inspektimi u zhvillua nga data 2 deri më 5 dhjetor, në kuadër të një hetimi për të përcaktuar nëse kompania ka përfituar nga subvencione të huaja që mund të shtrembërojnë konkurrencën në tregun e Bashkimit Europian.
Sipas vlerësimit paraprak të Komisionit, Temu ka shkelur detyrimin për të bashkëpunuar në mënyrë aktive në disa aspekte të kontrollit.
Autoritetet europiane nuk kanë dhënë ende hollësi rreth veprimeve konkrete që kompania dyshohet se nuk ka përmbushur.
Temu është pjesë e grupit kinez PDD Holdings dhe është zgjeruar me shpejtësi në tregun europian përmes shitjes së produkteve me çmime të ulëta. Konstatimet e publikuara nga Komisioni Europian janë paraprake dhe nuk përbëjnë ende një vendim përfundimtar ndaj kompanisë.


