U goditën nga një ortek në malin Broad Peak, gjenden trupat e 4 alpinistëve të zhdukur, vijojnë kërkimet për 6 të tjerët

Katër trupa alpinistësh janë gjetur në Pakistan, pasi një ortek goditi një grup prej 10 alpinistësh në malin Broad Peak, ndërsa vijojnë kërkimet për gjashtë personat e tjerë të zhdukur.
Ngjarja ndodhi në një nga zonat më të vështira malore të Pakistanit, në malin Broad Peak, i cili arrin një lartësi prej 8,051 metrash dhe konsiderohet një nga majat më sfiduese për ngjitje.
Ekipet e kërkim-shpëtimit kanë nisur operacionet menjëherë pas ortekut, ndërsa për kërkimet janë angazhuar edhe helikopterë të ushtrisë pakistaneze. Autoritetet bëjnë të ditur se operacioni po zhvillohet në kushte të vështira për shkak të terrenit të largët dhe të rrezikshëm.
Mes alpinistëve të zhdukur është edhe nepalezi Nirmal Purja, 43 vjeç, një nga alpinistët më të njohur në botë, i cili mban rekordin për ngjitjen më të shpejtë të 14 maleve më të larta në botë.
Ekspedita përbëhej nga alpinistë nga Nepali, Pakistani, Omani, Shtetet e Bashkuara dhe Kina. Ministria e Jashtme e Nepalit ka bërë të ditur se gjashtë prej alpinistëve të zhdukur janë shtetas nepalezë.
Autoritetet dhe ekipet e shpëtimit vijojnë kërkimet me shpresën për të gjetur të mbijetuarit dhe për të zbardhur fatin e plotë të grupit të alpinistëve.


