Poliçani del nga harta e bashkive, dorëhiqet kryetari i PS-së: “Qeveria po bën një padrejtësi, është turp i madh”

Qytetarët e Poliçanit kanë dalë mbrëmjen e sotme në protestë kundër Reformës Territoriale, e cila sipas tyre rrezikon të heqë nga harta administrative Bashkinë e Poliçanit.
Me pankarta në duar, banorët janë mbledhur në sheshin përpara kinemasë së qytetit, duke kërkuar që qeveria të mos prekë bashkinë e tyre.
“Poliçani nuk preket”, “Mos na vrisni të ardhmen”, “Harram i paçi votat e Poliçanit”, “Deputetë dele, mos e votoni reformën”, ishin disa nga mesazhet e shkruara në pankartat e protestuesve.
Banorët deklaruan se Poliçani duhet të vijojë të jetë bashki më vete, duke theksuar se çdo ndryshim i statusit të saj do të ndikojë te e ardhmja e qytetit dhe e brezave të rinj.
Gjatë protestës, kryetari i Partisë Socialiste në Poliçan, Erjon Zylyftari, ka njoftuar publikisht dorëheqjen e tij nga kjo forcë politike. Zylyftari u shpreh se vendimi për prekjen e Bashkisë së Poliçanit është një padrejtësi dhe një turp i madh ndaj qytetarëve të këtij qyteti.
Në shenjë revolte ndaj këtij vendimi, disa qytetarë kanë djegur në shesh teserat e Partisë Socialiste, duke shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj politikave të ndjekura nga qeveria.
Gjatë protestës, banorët kanë firmosur gjithashtu një peticion për të kërkuar që Bashkia e Poliçanit të mos preket nga Reforma Territoriale.


