Pse u mbyt Durrësi? Flet inxhinieri që drejtoi 20 vjet Ndërmarrjen e Bonifikimit dhe Hidrovorin

Aktualitet

Pse u mbyt Durrësi? Flet inxhinieri që drejtoi 20 vjet

Reshjet e dendura të shiut që kanë përfshirë vendin, kanë shkaktuar përmbytje në disa qytete.

Durrësi mbetet qyteti më i prekur nga moti i keq ku situata mbetet kritike nga përmbytjet, sidomos në Njësitë Administrative Sukth dhe Katund i Ri, ku përmbytja erdhi edhe nga rritja e prurjeve të lumit Erzen, duke rënduar më tej situatën. Emergjencat civile urdhëruan evakuimin e detyrueshëm të banorëve.

Sipas Ing. Ardian Zhamo
Hidrovori i zhvendosur është një çmenduri inxhinierike, e denjë për hetim. Kush e dha urdhrin? Cili inxhinier e projektoi? Kush dhe pse u ndërtua duke i ditur pasojat?
Hidrovori i Porto Romanos është ndërtuar mbi bazën e një studimi shkencor, duke përcaktuar pikën më të ulët të basenit ujëmbledhës të gjithë sipërfaqes.
Në këtë basen, kur nuk ka reshje, përllogariten rreth 10 milionë m³ ujë.
Kuota e ujit në hidrovor duhet të jetë në këtë periudhë -3.90 m nga niveli i detit, që do të thotë se, kur niveli fillon të rritet, pompat hyjnë me radhë në punë, me një sistem të komanduar sipas ngritjes së nivelit të ujit, i cili mban në tërheqje dhe shtytje të gjithë sasinë e ujit që vjen në hidrovor.
Hidrovori është llogaritur të largojë ujërat e Durrësit (ujërat e zeza) dhe ato të shiut.
Ky hidrovor përcjell ujërat e të gjithë kanaleve sekondare (14 të tilla) dhe terciare (me qindra). Kanali i ujërave të larta i qytetit transporton ujërat e kodrës në Porto Romano direkt në det, jo në hidrovor.

Kanali i ujërave të larta që shkarkon te Kovalishenca grumbullon ujërat nga Xhafzotaj, në Nish Tulla e Plepa, dhe derdhet në det.
– Kanalet sekondare nuk përcjellin ujë, sepse janë të bllokuara nga gëlqerë, dhera dhe tombino të ndërtuara nga persona të paautorizuar.
– Kanalet sekondare, në shumicën e rasteve, nuk ekzistojnë më.
Hidrovori i zhvendosur është një çmenduri inxhinierike, e denjë për hetim. Kush e dha urdhrin? Cili inxhinier e projektoi? Kush dhe pse u ndërtua duke i ditur pasojat? Etj, etj.
Pikat nevralgjike ku uji duhet të vërshojë në kanale dhe jo në shtëpi:
– Kanali te karburanti, te Ura e Dalanit, nga kanal me prerje tërthore 16 m² ka përfunduar në një kanal me dy tuba me diametër 800 mm – një “hinkë”. Ky kanal përcjell ujërat e plazhit në pjesën pas hekurudhës.
– Kanali pas shkollës “Beqir Çela”, është i bllokuar totalisht. Ky kanal përcillte ujërat e Shkozetit nga lagjja e Gjykatës së Apelit deri në qendër të Shkozetit; pjesa tjetër nga qendra shkarkon te Ura e Dalanit.

Kanali që kalon përpara Oficinës së Marmitave: Kjo copë kanali, me tuba me diametër 2000 mm në një gjatësi rreth 60 m, ka çeduar, duke zvogëluar me rreth 70% tërheqjen e ujit dhe, si pasojë, kjo zonë përmbytet edhe me shiun më të vogël.

Zgjidhja është:
Pastrimi periodik i të gjithë rrjetit kullues, i cili duhet të jetë i gatshëm çdo datë 1 tetor të çdo viti.
Rivënia në punë urgjentisht e ish-hidrovori, duke investuar në rritjen e kapaciteteve.
Ndalimi, me masa administrative dhe penale, i hedhjes së mbeturinave dhe i bllokimit të kanaleve pa autorizim, etj.
VO
Njerëz, natyra ka ndryshuar dhe pasojat po i ndjeni drejtpërdrejt. Mos i bllokoni kanalet me plehra. Mos ndërtoni mbi kanale. Pastroni secili mjedisin tuaj dhe përreth.
Sot, kanalet dhe lumenjtë janë shndërruar në një pisllëk të paparë.
Siç thotë një mik imi: “Ku ka kallama, ka fukarallëk”.
Autori i këtij shkrimi ka drejtuar për 20 vjet Ndërmarjen e Bonifikimit në Durrës dhe ndërtimin e Hidrovorit

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion