Përkeqësohet situata e zjarrit pranë Landfillit dhe Inceneratorit të Elbasanit/ Flakët afrohen te fusha e mbetjeve

Aktualitet

Përkeqësohet situata e zjarrit pranë Landfillit dhe Inceneratorit

Situata e krijuar nga zjarri i rënë nga ana e rrjedhës së lumit Shkumbin pranë fushës së grumbullimit të mbetjeve dhe Inceneratorit të Elbasanit është përkeqësuar ndjeshëm gjatë orëve të fundit, duke rritur shqetësimin për një përhapje të mëtejshme të flakëve.

Pavarësisht ndërhyrjes së pandërprerë të forcave zjarrfikëse, zjarri vijon të mbetet aktiv dhe flakët i janë afruar në mënyrë të rrezikshme zonës së depozitimit të mbetjeve. Për momentin, rreziku që fusha e mbetjeve të përfshihet nga zjarri konsiderohet i lartë, ndërsa ekipet në terren po punojnë intensivisht për të izoluar vatrat dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme.

Në gatishmëri të plotë për përballimin e situatës emergjente janë vendosur sistemet hidrante të Landfillit të Elbasanit, të cilat po përdoren për furnizimin me ujë dhe mbështetjen e operacionit të shuarjes së flakëve. Megjithatë, kushtet në terren, temperaturat e larta dhe era e lehtë që fryn në zonë po e vështirësojnë punën e zjarrfikësve.

Forcat operacionale vijojnë të monitorojnë nga afër zhvillimin e situatës, ndërsa prioritet mbetet mbrojtja e fushës së mbetjeve dhe shmangia e një emergjence më të madhe mjedisore. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet pranë zonës së prekur nga zjarri, deri në normalizimin e plotë të situatës.

Operacioni për neutralizimin e flakëve vazhdon, ndërsa situata mbetet e tensionuar dhe nën monitorim të vazhdueshëm nga strukturat përgjegjëse.

ME TE LEXUARAT