Investimet e huaja ‘vërshojnë’ në pasuri të paluajtshme, arritën në 404 milionë euro gjatë periudhës janar-mars

Nuk ka më kapital të huaj në fabrika industrie, nëpër miniera, projekte energjetike e aq më pak në bujqësi apo arsim. Paratë e huaja po përqendrohen gjithnjë e më shumë te ‘betoni shqiptar’.
Banka e Shqipërisë thotë se në tremujorin e parë të këtij viti vlera e investimeve të huaja direkte arriti në 404 milionë euro, me rritje prej 43 milionë euro në raport me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar.
INVESTIMET E HUAJA DIREKTE
Janar-Mars 2024 354 mln euro
Janar-Mars 2025 361 mln euro
Janar-Mars 2026 404 mln euro
Banka thotë se 43% e këtyre parave ose gati 173 milionë euro u ‘hodhën’ në sektorin e pasurive të paluajtshme, Kjo është shifra më e lartë historike e investuar ndonjëherë në këtë sektor.
INVESTIMET NË PASURI TË PALUAJTSHME
Janar-Mars 2024 84 mln euro
Janar-Mars 2025 104 mln euro
Janar-Mars 2026 173 mln euro
Ndërsa vlera e investimet në pasuri të patundshme prej 2014-ës deri më tani ka kapërcyer 2.2 miliardë euro.
Për ekspertët e tregut të pasurive të paluajtshme, Shqipëria është ende një treg me leverdi për të huajt, pasi çmimet e pronave për ata janë të përballueshme. Por tregu real-estate është edhe më i lakuari edhe për pastrimin e parave.
Agjencia e Inteligjencës Financiare ka listuar në raportin për vitin e kaluar 7 tipologji pastrimi parash, ku në vend të parë vijon të jetë sektori i pasurive të paluajtshme, pasi 4 nga skemat e zbardhura ishin në këtë sektor.
Të huajt thotë Banka e Shqipërisë janë edhe një nga shkaqet për çmimet e larta të pronave në vend, pasi blerjet e tyre janë të përqendruar në zonat më të kushtueshme të Tiranës dhe përgjatë bregdetit. Në vitin e kaluar rreth 25% e banesave të shitura janë blerë nga shtetas jorezidentë.


