Pas mesazhit të Ramës, kandidatët socialistë tërheqin kërkesën në KQZ për pamje nga numërimi

Politikë

Pas mesazhit të Ramës, kandidatët socialistë tërheqin

Kandidatët socialistë për deputetë, të cilët kontestuan tjetërsim të votave preferenciale, kanë tërhequr kërkesën e bërë pranë Komisionit Qendrort të Zgjedhjeve (KQZ). 

Ata kërkuan marrjen e pamjeve filmike në lidhje me rezultatin zgjedhor, që këtë herë si duket nuk u kundërshtua vetëm nga opozita, por edhe nga mazhoranca. 

Burime për mediat bëjnë me dije se Etilda Gjonaj dhe Xhemal Qefalia, janë dy prej 5 kandidatëve të cilët tërhoqën kërkesën e tyre. 

Ndërkohë, tërheqja e tyre vjen pas mesazhit të drejtpërdrejtë të kryesocialistit Edi Rama drejtuar strukturave të partisë. Në mesazhin e tij, Rama shprehu pakënaqësinë, ndërsa tha se nuk mund të ndalojë askënd për kërkesat individuale.

Megjithatë, Rama theksoi se humbja e një gare s’duhet të bëhet shkak për të humbur edhe fytyrën e partisë, ndërsa apeloi kandidatët të mos ushqejnë qenërinë mediatik.

Mesazhi i plotë i Ramës:

“Kam marrë njoftim me trishtim për disa iniciativa individuale, për të kërkuar filmime, rinumërime e ku di unë çfarë tjetër për votën preferenciale!

Natyrisht që s’mund të ndaloj askënd të veprojë me kokën e vet, por, duke qenë se këtu në këtë dritare jemi ende një skuadër – dhe unë dua që kështu të mbetemi – do të këshilloja që të mos i hyhet asaj rruge. Sepse, së pari, humbja e një gare s’duhet të bëhet shkak për të humbur edhe fytyrën, kur në fakt nuk ka asnjë shans, zero, që me gjithë ata sy mbi ekrane, të ketë devijime vote në përmasa që do ta mbushnin hendekun e kujtdoqoftë me ata që kanë dalë fitues – jo me 10 a 20, por me shumë më tepër vota diferencë nga pasuesit në klasifikim.

Së dyti, kjo do të thotë të hidhet hije mbi njerëzit tanë, që kanë qëndruar pafundësisht nëpër tryeza numërimi, e që nuk e meritojnë kurrkund një hije të tillë dyshimi për kontributin e tyre të madh.

E së fundi, përfytyrojeni vetë se sa keq do të ndjehet kushdo që do t’i hyjë kësaj rruge, duke ushqyer qenerinë mediatike, kur në fund, mali i mbarsur mund të mos pjellë as një mi!”

ME TE LEXUARAT