Pa mjekë; A është gati Shqipëria përballë kërcënimeve të reja pandemike

Edhe pse përvoja e Covid-19 solli investime të rëndësishme në logjistikën spitalore dhe Urgjencën Kombëtare, pabarazia gjeografike dhe nënfinancimi kronik mbeten pengesa serioze për t’u përballuar me pandemi të reja si ajo e përmasave të Covid-19. Mungesa kritike e mjekëve, e nxitur nga emigracioni, si dhe varësia e laboratorëve nga importet rrezikojnë të sjellin përgjigje të vonuara në kriza. Ekspertët bëjnë thirrje për krijimin e rezervave të emergjencës dhe forcim të poleve rajonale spitalore
Blerina Hoxha
Bota në të cilën jetojmë sot e ka lehtësuar qarkullimin e sëmundjeve ngjitëse nga një kontinent në tjetrin më shpejt se kurrë më parë. Lëvizja e lirë ka nxitur udhëtimet, teksa modernizimi i transportit ka sjellë lehtësimin e lëvizjes si për njerëzit, ashtu edhe për viruset.
Po kalojnë gjashtë vite që kur pandemia Covid-19 paralizoi botën në vitin 2020, teksa trauma ende e freskët u nxit së fundi nga Hantavirusi, Ebola. Sëmundjet ngjitëse që tani shpërthejnë në Afrikë dhe Azi na frikësojnë më shumë se më parë, por a është Shqipëria gati të përballojë një pandemi tjetër të përmasave të Covid-19, pa përjetuar dramën e vitit 2020?
Ekspertët e shëndetësisë dhe mjekët pohojnë se sistemi është padyshim më i sprovuar dhe më i koordinuar se në vitin 2020, por mbeten ende sfida që kanë të bëjnë me mungesë të infrastrukturës në shërbimin parësor dhe burimet njerëzore në të gjithë zinxhirin e infrastrukturës së shëndetësisë.
Shqipëria u rendit e katërta në botë për nivelin e vdekjeve reale nga Covid-19 në raport me popullsinë, pas Azerbajxhanit, Bosnjë-Hercegovinës dhe Bullgarisë, sipas të dhënave nga “Health Data”, një institut amerikan për vlerësimin e shëndetit.
Sipas raportit, Shqipëria kishte në total 529 vdekje për 100 mijë banorë, për periudhën mars 2020 deri në maj 2021, duke u renditur e katërta ndër 20 vendet me vdekjet reale më të larta nga Covid-19.
Plani 2030, si po forcohen kapacitetet shëndetësore për pandemitë
Sistemi i shëndetit publik në Shqipëri ka shënuar progres të rëndësishëm, ku padyshim konsolidimi i Urgjencës Kombëtare dhe digjitalizimi i plotë i sistemeve të survejancës për agjentët infektivë përfaqësojnë dy nga pikat tona më të forta, tha Alban Ylli, ekspert i politikave të shëndetit publik.
Z. Ylli tha se, në këtë dekadë, vëmendja e politikave shëndetësore është e përqendruar në disa drejtime jetike. Së pari, rritja e kapaciteteve laboratorike do të marrë hov të ri vitin e ardhshëm me fillimin e punës së Qendrës së re të Referencës Kombëtare.
Së dyti, po investohet me përparësi në trajnimin e ekspertëve, mjekë, epidemiologë, infermierë dhe staf mbështetës, për të garantuar hetim epidemiologjik dhe komunikim risku gjatë krizave shëndetësore.
Ai tha se Ministria e Shëndetësisë po punon në një sistem kapilar, përmes programit “Solidar”. “Kemi nisur punën për përgatitjen e strukturave të kujdesit parësor me plane dhe mekanizma ndërsektorialë për të reaguar në kohë emergjence.
E gjithë kjo arkitekturë do të funksionojë si një trup i vetëm duke integruar dhe duke standardizuar shkëmbimin e të dhënave klinike, laboratorike dhe mjedisore në të gjitha platformat tona digjitale”, tha ai.

Burimi: Eurostat, të dhëna kombëtare per Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut
Sa është e përgatitur Shqipëria
Nëse një pandemi e re do të godiste sot, Shqipëria nuk do të gjendej në befasi si në marsin e vitit 2020, pasi mekanizmat e reagimit emergjent janë krijuar dhe testuar.
Sidoqoftë, qëndrueshmëria afatgjatë e sistemit do të varet shumë nga shpejtësia e përhapjes së virusit dhe nga aftësia për të mbajtur dhe për të motivuar stafin mjekësor ekzistues, tha mjeku pneumolog Luan Dyrmishi, i cili punoi në front të pandemisë Covid-19.
Përvoja e Covid-19 shërbeu si një precedent për sistemin shëndetësor shqiptar, duke e detyruar atë të ndërtonte pothuajse nga e para një strukturë logjistike dhe menaxhuese për emergjencat e mëdha.
Nëse do të ndodhte një krizë tjetër, Shqipëria do të mbështetej në disa asete dhe përvoja konkrete që u krijuan gjatë asaj periudhe. Në aspektin operacional, kjo do të ishte më e lehtë, porse vendit i nevojiten ende investime në kapacitete dhe logjistikë, si në mjekë, në mjedise spitalore dhe në survejancë, tha mjeku Dyrmishi.
Problem mungesa e stafit mjekësor
Mungesa e stafit mjekësor në Shqipëri është një problem madhor për të siguruar shërbime dinjitoze në kohë normale, por në rast pandemie ky është një problem i madh për shpëtimin e jetëve, tha Gazment Koduzi, mjek dhe ekspert me përvojë i politikave shëndetësore.
Sipas të dhënave të Bankës Botërore, Shqipëria kishte gjatë periudhës së pandemisë 1.9 mjekë për 1000 banorë, ndërkohë që mesatarja e Bashkimit Europian është mbi 3.5 mjekë për 1000 banorë.
Organizata Botërore e Shëndetësisë e vendos pragun minimal të fuqisë punëtore shëndetësore rreth 2.3 – 2.5 mjekë për funksion bazë të sistemit shëndetësor në kohë normale, por ky nivel nuk është i mjaftueshëm për pandemi.
Përvoja e Covid-19 tregoi se vendet që arritën ta menaxhojnë më mirë presionin mbi spitalet kishin zakonisht një densitet më të lartë mjekësh, shpesh mbi 3.5 deri në 5 mjekë për 1000 banorë, të shoqëruar me një numër edhe më të lartë infermierësh dhe kapacitete të forta në kujdesin intensiv.
Këto vende nuk e shmangën pandeminë, por arritën të dominonin kolapsin e sistemit. Vendi ynë vijon të vuajë emigracionin e lartë të mjekëve, teksa shërbimet janë të qendërzuara në Tiranë dhe në rrethe ka mungesa të mëdha.
“Për dy vite me radhë, gjatë pandemisë 2020-2021, ka qenë më keq se një front lufte. Ishte një rraskapitje, me vetëm dy ose tre orë gjumë. Ndërkohë që po punonim në spitalet Covid me superintensitet, qindra mesazhe, grafi dhe skanerë vinin në telefon.
Shumë pacientë që po kalonin sëmundjen në shtëpi kërkonin këshilla. Thjesht ishte e pamundur të ofroheshe për të gjithë”, tha P. Malaj, mjek pneumolog i cili ishte në front të menaxhimit të sëmundjes gjatë pandemisë.
Zoti Koduzi pohon se mjekët punojnë me mbingarkesë edhe aktualisht. Me plakjen e popullsisë dhe përhapjen e sëmundjeve jongjitëse, barra e punës sa vjen e rritet, ndërkohë që gati gjysma e mjekëve të diplomuar në vendin tonë kanë emigruar jashtë vendit.

Burimi: Shoqata Europiane e Kardiologjisë
Kapacitetet laboratorike dhe diagnostikuese
Infrastruktura e shëndetit publik për parandalim dhe kapjen në kohë të rastit (testimi), është një dobësi tjetër që sistemi shëndetësor duhet të përmirësojë, tha z. Koduzi.
Pandemia e Covid-19 tregoi qartë rëndësinë e testimit të shpejtë dhe të përhapur, por edhe kufizimet strukturore të Shqipërisë në këtë drejtim. Sipas të dhënave nga Instituti i Shëndetit Publik, kapacitetet testuese u rritën ndjeshëm gjatë viteve 2020–2021, por mbetën të përqendruara kryesisht në Tiranë.
Një analizë e Bankës Botërore për vendet e Ballkanit Perëndimor thekson se sistemet laboratorike në rajon janë të fragmentuara dhe shumë të varura nga importi i reagjentëve.
Kjo varësi u bë e dukshme kur zinxhirët globalë të furnizimit u ndërprenë, duke shkaktuar vonesa në testim. Në Shqipëri, transporti i mostrave nga zonat rurale drejt qendrave laboratorike krijoi shumë vonesa, duke reduktuar efektivitetin e gjurmimit të rasteve.
Në një pandemi të re, kjo do të thotë se sistemi rrezikon të reagojë me vonesë, duke lejuar përhapjen e virusit përpara se të identifikohet në mënyrë sistematike, tha eksperti Koduzi, sipas të cilit diagnostikimi mbetet një hallkë që ende nuk garanton shpejtësinë dhe mbulimin e nevojshëm me kapacitetet aktuale.
Infrastrukturë e dobët dhe jo e barabartë
Infrastruktura spitalore në Shqipëri karakterizohet nga një përqendrim i fortë në kryeqytet dhe mungesa e pajisjeve mjekësore sipas standardeve të OBSH-së. Pjesa më e madhe e shërbimeve të specializuara ofrohen në Tiranë, veçanërisht në QSUT. Ndërkohë, spitalet rajonale kanë më pak kapacitete intensive dhe pajisje të avancuara.
Zoti Koduzi tha se shpërndarja joefikase e burimeve është një nga sfidat kryesore të sistemeve shëndetësore në Shqipëri dhe gjithashtu mungesa e pajisjeve mjekësore mbetet problem i madh edhe tani në kohë normale.
Të dhënat e vitit të kaluar treguan se Qendra Spitalore “Nënë Tereza” përballoi gati gjysmën e fluksit të shërbimeve spitalore në të gjithë vendin.
Gjatë Covid-19, kjo u reflektua në presionin e lartë mbi spitalet në Tiranë. Në një pandemi të re, mungesa e strukturave fleksibël për izolim dhe trajtim mund të çojë në përhapje brenda spitaleve dhe në ulje të cilësisë së shërbimit.
Aktualisht, spitalet kryesore disponojnë pajisje teknologjike nga imazheria diagnostikuese me skanerë, rezonanca magnetike, aparate grafie digjitale dhe ekografi të gjeneratës së re, por vendi ende nuk e ka një Petskaner në sistemin publik. Megjithatë, sfidat e sistemit lidhen me menaxhimin dhe mirëmbajtjen e tyre.
Sipas raporteve të auditimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, një nga problemet kryesore është përqendrimi i madh i teknologjisë së lartë në Tiranë, gjë që krijon pabarazi gjeografike dhe i detyron pacientët nga rrethe të ndryshme të udhëtojnë drejt kryeqytetit për ekzaminime të specializuara.
Kjo situatë rëndohet edhe më shumë nga mungesa e kontratave të rregullta dhe të shpejta të servisit. Pajisjet qëndrojnë me muaj të tërë jashtë funksionit për shkak të vonesave në sigurimin e pjesëve të këmbimit, duke i detyruar qytetarët t’i drejtohen sektorit privat dhe duke rritur shpenzimet e tyre të drejtpërdrejta.

Burimi: INSTAT, Ministria e Financave
Shëndetësi e nënfinancuar
Financimi i shëndetësisë në Shqipëri mbetet ndër më të ulëtit në Europë, tha z. Koduzi, i cili e konsideroi burimin madhor të problematikës në shëndetësinë shqiptare. Të dhënat nga INSTAT tregojnë se shpenzimet për shëndetësinë janë rreth 3% e PBB-së, ndërkohë që mesatarja e BE-së është mbi 8%.
Po ashtu, shpenzimet për frymë janë disa herë më të ulëta se në vendet europiane. Ky nivel financimi nuk lejon krijimin e kapaciteteve rezervë, të cilat janë jetike në emergjenca.
Sistemi funksionon kryesisht për të mbuluar nevojat bazë, pa hapësirë për investime të mëdha në modernizim dhe zgjerim. Në një pandemi, kjo mungesë fleksibiliteti financiar bëhet pengesë serioze, pasi kërkesa për burime rritet ndjeshëm në një kohë shumë të shkurtër. Nënfinancimi, në këtë kuptim, është problemi që ushqen të gjitha të tjerat, duke e bërë sistemin më pak rezistent ndaj goditjeve të mëdha.
Zoti Koduzi tha se për mungesë të financimeve, pagat më të ulëta dhe kushtet e punës më pak konkurruese nxisin largimin e mjekëve dhe infermierëve, duke krijuar mungesa kronike në staf dhe duke rritur ngarkesën mbi ata që mbeten.
Një tjetër pasojë e drejtpërdrejtë e mungesës së financimeve është degradimi i infrastrukturës dhe teknologjisë mjekësore. Në rast se kërkesa rritet papritur, spitalet mbingarkohen shpejt, shtretërit e kujdesit intensiv bëhen të pamjaftueshëm dhe stafi detyrohet të punojë përtej kapaciteteve të tij.
Në këto kushte, edhe sëmundje që normalisht do të ishin të menaxhueshme bëhen më të rrezikshme për shkak të vonesave në trajtim dhe mungesës së burimeve.
Mangësi në të dhëna dhe informacion
Gjatë diskutimit me mjekun Dyrmishi mbi menaxhimin e situatave pandemike dhe sfidat e sistemit shëndetësor, u theksua se një nga vështirësitë kryesore gjatë periudhave të tilla ka qenë mungesa e përvojës së mjekëve në përballjen me raste të këtij niveli kompleksiteti, si dhe ndryshimi i shpeshtë i informacionit mbi mënyrat e trajtimit.
Një problem thelbësor ka qenë mungesa e një protokolli të unifikuar dhe zyrtar të trajtimit sipas fazave të sëmundjes.
Në vend të një udhëzimi të qartë dhe të standardizuar, situata shpesh është menaxhuar në mënyrë të decentralizuar, duke u mbështetur te vendimmarrja individuale e mjekëve dhe te përvoja e përgjithshme e sistemit shëndetësor, e cila është konsideruar e pamjaftueshme për një krizë të këtij niveli, tha mjeku.
Gjithashtu, trajtimi i pacientëve është kryer në të gjitha nivelet e shërbimit shëndetësor pa një ndarje të qartë sipas fazave të sëmundjes, duke ndikuar drejtpërdrejt në efektivitetin e mjekimit dhe në rezultatet klinike. Kjo qasje e njëtrajtshme, pa diferencim të rasteve sipas ashpërsisë së tyre, është vlerësuar si një nga faktorët që ka ndikuar në ecurinë dhe mbijetesën e pacientëve gjatë periudhës së krizës.
Eksperti Koduzi tha se informacioni është i fragmentuar dhe jo gjithmonë i aksesueshëm në kohë reale për vendimmarrje. Në pandemi, kjo kufizon aftësinë për të gjurmuar përhapjen dhe për të ndërmarrë masa të shpejta.
Për më tepër, mungesa e analizës parashikuese e bën sistemin më shumë reaktiv sesa proaktiv. Në një krizë shëndetësore, të dhënat dhe protokollet janë baza e çdo vendimi dhe çdo boshllëk në këtë drejtim përkthehet në reagim të vonuar dhe më pak efikas.
Çfarë duhet të bëjmë gati
Mjekët pohuan se sipas analizës, gjatë pandemisë shumë familje shqiptare u përballën me kosto të larta për trajtimin në shtëpi, duke shpenzuar për analiza private dhe ilaçe të shtrenjta. Kjo situatë ka kontribuar në varfërimin e tyre dhe mbingarkesën e spitaleve.
Mjeku Malaj propozon krijimin e një “Pakete Farmaceutike të Emergjencës” me rimbursim të menjëhershëm të barnave, protokolle më të rrepta për shmangien e abuzimit me recetat mjekësore, si dhe ofrimin falas të analizave bazë në laboratorët publikë.
Eksperti Koduzi rekomandon forcimin e poleve rajonale shëndetësore në Shkodër, Fier, Vlorë, Elbasan dhe Korçë, me kapacitete të plota të terapisë intensive dhe pavijone të specializuara. Po ashtu, sugjerohet zhvillimi i telemjekësisë për konsultime në kohë reale mes spitaleve rajonale dhe specialistëve në Tiranë.
Ai tha se pandemia Covid-19 tregoi mungesën e një stoku kombëtar materialesh mjekësore, duke e bërë Shqipërinë të varur nga importet dhe donacionet. Ai tha se duhen krijuar magazina të posaçme të biosigurisë me pajisje mbrojtëse, ilaçe dhe kite testimi, si dhe sistem i rrotullimit të stokut për të shmangur skadencat.
Ekspertët pohojnë se përgatitja për pandemitë e ardhshme nuk mund të bëhet gjatë krizës, por përmes reformave afatgjata në kohë paqeje, duke kërkuar vullnet politik dhe rishikim të thellë të sistemit shëndetësor.
Pandemia e Covid-19, përveçse një krizë shëndetësore globale, ishte një test i vërtetë stresi për çdo sistem publik. Në Shqipëri, pandemia ekspozoi boshllëqe të vjetra, por edhe u ndërtuan mekanizma të rinj që ndryshuan përgjithmonë mënyrën e menaxhimit të emergjencave.
Një nga mësimet më të forta të pandemisë lidhet me infrastrukturën spitalore. Përpara vitit 2020, Shqipëria kishte vetëm rreth 4–5 shtretër të terapisë intensive për 100,000 banorë, ndër më të ulëtat në Europë. Ky kufizim u kthye në pikën më të rrezikshme të sistemit gjatë valëve të para të virusit.
Përmes investimeve në spitalet Covid dhe në rrjetin rajonal, numri i shtretërve të terapisë intensive u zgjerua me mbi 300%, duke krijuar një rezervë që më parë nuk ekzistonte.
Nga rreth 60–70 ventilatorë funksionalë në fillim të krizës, vendi arriti në qindra të tillë brenda dy viteve, të shpërndarë në spitalet rajonale. Për herë të parë, qytetet jashtë Tiranës u bënë pjesë aktive e trajtimit të rasteve kritike.
Spitalet që më parë mbështeteshin te bombolat e lëvizshme u pajisën me linja qendrore dhe impiante të oksigjenit likuid në mbi 15 institucione publike. Kjo reduktoi varësinë logjistike dhe rriti sigurinë në trajtimin e pacientëve të rëndë.
Gjithashtu u rinovuan dhe u përmirësuan sistemet e gjurmimit dhe tani brezi i sotëm i mjekëve ka një përvojë të fortë për t’u përgjigjur në një rast të ngjashëm.

Burimi: INSTAT
/MONITOR






