Si e mbështeti administrata tatimore rimëkëmbjen ekonomike të Greqisë

Greqia dikur ishte kthyer në simbolin e krizës ekonomike europiane: e përjashtuar nga tregjet, e varur nga mbështetja e jashtme financiare, me të ardhura tatimore të pamjaftueshme për të financuar shërbimet publike dhe për të mbështetur rritjen ekonomike.
Sot, ajo është një nga vetëm pesë vendet e Bashkimit Europian që regjistron suficit primar buxhetor. Kjo është një kthesë e fortë që tregon sa shumë janë konsoliduar financat publike të vendit.
Ky transformim pasqyron, në një masë jo të vogël, reformimin e administratës tatimore, e cila ka ngushtuar gradualisht boshllëqet e pajtueshmërisë fiskale dhe ka rindërtuar besueshmërinë financiare, duke u kthyer në një nga motorët e heshtur të rimëkëmbjes më të gjerë ekonomike të Greqisë.
Kontrolli më i fundit vjetor i FMN-së mbi ekonominë greke (konsultimi sipas Nenit IV) vlerëson se vendi është i pozicionuar mirë për t’u përballur me goditjet e jashtme, përfshirë ato që burojnë nga lufta në Lindjen e Mesme.
Kjo reflekton forcimin e qëndrueshmërisë fiskale dhe stabilitetit financiar. Suficiti primar u rrit në gati 5% të PBB-së në vitet 2024-2025, ndërsa raporti i borxhit publik ndaj PBB-së ka rënë me rreth 65 pikë përqindjeje nga kulmi i vitit 2020.
Paralelisht, kushtet e financimit janë përmirësuar, ndërsa kostot e huamarrjes së shtetit janë kthyer në nivele të ngjashme me ato para krizës financiare globale të vitit 2008.
Axhenda e reformave nuk ka përfunduar. Por shkalla dhe renditja e transformimit të Greqisë ofrojnë mësime të vlefshme për vendet e tjera që ndjekin reforma tatimore. Një punim i ri i FMN-së në këtë fushë evidenton dy ide kryesore.
Së pari, qeveritë nuk mund të arrijnë objektivat e tyre të reformës fiskale nëse sistemi tatimor nuk është i drejtë, i besueshëm dhe transparent. Së dyti, ndërtimi i këtyre kapaciteteve kërkon kohë.
Në Greqi, reforma u zhvillua në tri faza të ndërlidhura dhe që forconin njëra-tjetrën: stabilizimi (2010-2012), ndërtimi i institucioneve (2013-2017) dhe transformimi digjital (2018-2025), të mbështetura gjatë gjithë kohës nga zhvillimi i kapaciteteve nga FMN-ja.

2010-2012: Stabilizimi
Përballë rrezikut të kolapsit ekonomik, Greqia kërkoi ndihmë financiare nga ajo që u njoh më pas si Trojka: FMN-ja, Komisioni Europian dhe Banka Qendrore Europiane.
Ndërhyrjet e para në administratën tatimore u fokusuan në stabilizimin e të ardhurave dhe krijimin e bazës për reforma më të thella.
Këto përfshinin një plan kundër evazionit fiskal, programe të synuara për të përmirësuar mbledhjen e të ardhurave nga tatimpaguesit e mëdhenj dhe individët e pasur, si dhe një plan reformash afatmesëm.
Një nga sukseset e hershme ishte digjitalizimi i deklarimit të TVSH-së. Deri në vitin 2014, 96% e tatimpaguesve të regjistruar dorëzonin deklaratat e TVSH-së në kohë, nga 65% në vitin 2010.
Nisma të tjera, veçanërisht përpjekjet për të forcuar mbledhjen e të ardhurave nga korporatat e mëdha, individët e pasur dhe debitorët tatimorë, rezultuan më të vështira për t’u mbajtur në kohë, duke nxjerrë në pah kufijtë e reformave që nuk adresonin në mënyrë të mjaftueshme qeverisjen dhe ndërhyrjen politike.
2013-2017: Ndërtimi i institucioneve të qëndrueshme
Faza e dytë e reformave në Greqi nxori në pah një mësim të rëndësishëm: reformat në administratën tatimore nuk mund të funksionojnë në mënyrë efektive pa autonomi, përgjegjësi të qarta dhe lidership të fortë.
Duke nisur nga gushti i vitit 2012, Greqia konsolidoi rrjetin e zyrave tatimore, duke reduktuar numrin e zyrave lokale nga 288 në 119 në pak më shumë se një vit, ndërsa operacionet u riorganizuan sipas funksioneve dhe jo sipas ndarjes gjeografike.
Me përmirësimin e mbledhjes së të ardhurave, duke forcuar kështu vullnetin politik për të vijuar reformat, hapi tjetër ishte dhënia e më shumë autonomie administratës tatimore.
Një ligj i rëndësishëm në vitin 2016 transferoi përgjegjësinë për administrimin tatimor te një autoritet i ri i pavarur, me buxhetin dhe kuadrin e vet të qeverisjes.
Ligji përcaktoi gjithashtu që bordi drejtues dhe guvernatori i administratës tatimore të përzgjidheshin përmes një gare të hapur me kritere të përcaktuara qartë.
Autoriteti i Pavarur për të Ardhurat Publike (Independent Authority for Public Revenue-IAPR) nisi funksionimin në vitin 2017, duke i dhënë Greqisë një administratë tatimore të mbrojtur nga ndërhyrjet politike dhe të fokusuar te rezultatet.
Ndikimi ishte i prekshëm. Gjatë kësaj periudhe, raporti i të ardhurave tatimore ndaj PBB-së u rrit me 1.8 pikë përqindjeje, nga 25.8% në vitin 2013 në 27.6% në vitin 2017, duke reflektuar rritjen e pajtueshmërisë fiskale dhe forcimin e kapaciteteve institucionale.
2018-2025: Transformimi dixhital
Megjithëse mjetet digjitale ishin prezantuar edhe më herët, shtysa vendimtare erdhi pasi themelet institucionale ishin vendosur fort.
Në këtë fazë, administrata tatimore kishte tashmë qeverisjen, aftësitë dhe besueshmërinë e nevojshme për ta bërë digjitalizimin funksional dhe të qëndrueshëm.
Midis viteve 2020 dhe 2025, pjesërisht si reagim ndaj pandemisë, Greqia vuri në zbatim një paketë të integruar sistemesh digjitale, nga analizat e brendshme administrative deri te faturimi elektronik në kohë reale dhe lidhja e pikave të shitjes.
Këto reforma e bënë pajtueshmërinë më të lehtë për tatimpaguesit dhe u dhanë audituesve mjete më të avancuara për të identifikuar rreziqet dhe për të fokusuar kontrollet aty ku ishte më e nevojshme.
Rezultatet ishin të qarta. Respektimi i detyrimeve për TVSH-në u rrit ndjeshëm, ndërsa të ardhurat nga TVSH-ja u rritën me 2.4 pikë përqindjeje të PBB-së gjatë 15 viteve, nga 7.1% në vitin 2010 në rreth 9.5% në vitin 2025.

Një cikël pozitiv dhe mësime përtej Greqisë
Të marra së bashku, reformat e Greqisë krijuan një cikël pozitiv: qeverisja më e mirë mundësoi digjitalizimin; digjitalizimi përmirësoi pajtueshmërinë; të ardhurat më të larta dhe më të qëndrueshme forcuan besimin publik dhe besueshmërinë fiskale.
Deri në vitin 2025, raporti i të ardhurave tatimore ndaj PBB-së në Greqi arriti në 28%, nga 20.5% në vitin 2009.
Ndërsa rritja e të ardhurave pasqyron edhe ndryshime më të gjera ekonomike dhe politike, përmirësimet në administratën tatimore luajtën një rol qendror duke zgjeruar bazën tatimore, duke forcuar zbatimin dhe duke rritur besimin në sistem.
Procesi vazhdon. Sfida e radhës është që përfitimet e fundit të bëhen të qëndrueshme, duke integruar mënyrat e reja të punës në proceset e përditshme.
Prioritetet përfshijnë përdorimin më sistematik të analizës së të dhënave dhe Inteligjencës Artificiale për menaxhimin e rreziqeve të pajtueshmërisë, përmirësimin e mëtejshëm të shërbimeve dhe besimit të tatimpaguesve, si dhe garantimin që aftësitë dhe stafet të ecin në të njëjtin ritëm me ndryshimet e shpejta teknologjike.
Megjithëse në disa aspekte është unik, rasti i Greqisë ofron një mësim me vlerë të madhe dhe të zbatueshëm gjerësisht. Përpjekja e qëndrueshme, e mbështetur te qeverisja e mirë, renditja e kujdesshme e reformave dhe investimi te njerëzit, mund ta shndërrojë një reagim ndaj krizës në forcë të qëndrueshme institucionale.
/IMF blog


