Kolegët nuk mbajnë lotët, mbahen homazhet për efektivin Enea Mekollin, u vra në krye të detyrës

Aktualitet

Kolegët nuk mbajnë lotët, mbahen homazhet për efektivin Enea

Qyteti i Pogradec i jep sot lamtumirën e fundit efektivit të Policisë së Shtetit, Enea Mekolli, i cili u shpall “Dëshmor i Atdheut” pasi humbi jetën në krye të detyrës gjatë një operacioni policor në Lozhan.

Homazhet në nder të 34-vjeçarit u zhvilluan pranë Qendrës Kulturore të Pogradecit, ku familjarë, miq, kolegë dhe qytetarë të shumtë u mblodhën për të nderuar kujtimin e tij dhe për të shprehur solidaritet me familjen.

Edhe pse rregullat shtetërore parashikojnë që Dëshmorët e Atdheut të prehen në varrezat e posaçme në Tiranë, familja e Mekollit ka kërkuar që ai të varroset në vendlindje. Vendimi është marrë për shkak të dëshirës që ai të prehet pranë vëllait të tij, i cili gjithashtu ka shërbyer në radhët e Policisë së Shtetit dhe ka ndërruar jetë vite më parë.

Pas ceremonisë së homazheve, kortezhi mortor u nis drejt fshatit Blacë, ku Enea Mekolli u përcoll për në banesën e fundit.

Një ditë më parë, familjen e efektivit të rënë në krye të detyrës e vizituan ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, të cilët shprehën ngushëllimet dhe vlerësuan sakrificën e tij.

Enea Mekolli humbi jetën gjatë një operacioni për arrestimin e një personi të shumëkërkuar. Sipas të dhënave paraprake, i dyshuari hapi zjarr ndaj forcave “Shqiponja”, duke i marrë jetën efektivit dhe duke plagosur rëndë kolegun e tij, Edison Adri. Gjatë shkëmbimit të zjarrit mbeti i plagosur edhe autori i dyshuar, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion