Organizonte baste sportive me celular brenda lokalit në Kombinat, arrestohet 24-vjeçari

Policia e Tiranës ka goditur një tjetër rast të lojërave të fatit të paligjshme në kuadër të operacionit “Fati i lojërave”, këtë herë në zonën e Kombinatit.
Sipas njoftimit zyrtar, në një lokal ku zhvillohej aktiviteti u konstatua vendosje bastesh sportive përmes celularit. Në flagrancë është arrestuar një 24-vjeçar me inicialet Xh. Xh., i cili dyshohet se kishte përshtatur ambientin për këtë veprimtari të kundërligjshme.
Gjatë kontrollit në telefonin e tij, policia ka gjetur faqe aktive për baste sportive, ndërsa pajisja është sekuestruar si provë materiale.
Ndaj të riut kanë nisur procedurat penale, ndërsa autoritetet bëjnë me dije se kontrollet kundër lojërave të fatit do të vijojnë në të gjithë qarkun e Tiranës.
Materialet i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.


