Irena Gjoka kërcënohet sërish! Shtohen masat e sigurisë për gjyqtaren

Aktualitet

Irena Gjoka kërcënohet sërish! Shtohen masat e sigurisë

Komisioni për mbrojtjen e gjyqtarëve ka miratuar masa shtesë sigurie për gjyqtaren e posaçme Irena Gjoka, mes informacioneve për kërcënime dhe rrezikim ndaj saj. Vendimi është marrë nga struktura ku bëjnë pjesë Ministria e Brendshme, Ministria e Drejtësisë, përfaqësues të Këshillit të Lartë Gjyqësor, drejtuesi i GJKKO-së Erjon Bani dhe zyrtarë të Policisë së Shtetit.

Burime bëjnë me dije se, përveç gardës që ruan gjyqtarët dhe prokurorët e SPAK, Gjoka do të ketë në mbrojtje edhe efektivë nga njësia e posaçme e mbrojtjes. Detajet mbi kërcënimet dhe indiciet për rrezikun ndaj saj mbahen sekret nga autoritetet.

Gjyqtarja Irena Gjoka ka qenë edhe më herët nën masa sigurie, si për shkak të detyrës si zv/kryetare e Gjykatës së Posaçme, ashtu edhe për shkak të shqyrtimit të dosjeve me ndjeshmëri të lartë publike, mes tyre edhe çështja “Partizani”.

Aktualisht, nën mbrojtje të veçantë nga shteti ndodhen edhe gjyqtarja Gentiana Muça, pas vendosjes së tritolit në automjetin që përdorte familja e saj disa vite më parë, si edhe ish-gjyqtari i Shkodrës Tonin Stërkaj, në banesën e të cilit u hodh lëndë plasëse.

Sipas burimeve, pjesa më e madhe e personave që mbrohen nga shteti janë prokurorë të SPAK, si edhe tre prokurorë të Elbasanit, njëri prej të cilëve është transferuar në Tiranë për arsye sigurie.

ME TE LEXUARAT