“Nuk janë barna!”, farmacistja: Ja çfarë fshihet pas produkteve “çudibërëse” që tregtohen online…

Reklamat që premtojnë zgjidhje të shpejta për problemet shëndetësore po pushtojnë rrjetet sociale, duke joshur çdo ditë qindra konsumatorë. Më të rrezikuarit nga këto skema mashtrimi mbeten të moshuarit, të cilët shpesh nuk kanë informacionin e nevojshëm për të dalluar një produkt të sigurt nga një reklamë e rreme. Pikërisht kjo ishte tema e trajtuar në emisionin “Shije Shtëpie”, këtë të hënë, më 15 qershor.
Farmacistja Diana Toma sqaroi se legjislacioni shqiptar e ndalon qartë tregtimin online të barnave, ndërsa shumë prej produkteve që reklamohen në internet nuk plotësojnë kriteret për t’u konsideruar barna.
“Kategoria ‘bar’ është e ndaluar edhe për produktet farmaceutike, me natyrë të mirëfilltë barna. Tregtimi përmes rrugës online dhe për pasojë dhe reklamimi i tyre është i ndaluar dhe ka rregulla specifike të kategorizuara shumë qartë në ligj dhe për mënyrën e reklamimit të tyre. Asnjë bar nuk është mirfilltazi bar dhe nuk plotëson kategorizimin ‘bar’ nga ato çfarë reklamohen, në të kundërt do të kalonin të tëra hallkat e kontrollit të strukturave shtetërore siç ligji përcakton. Dhe gjithashtu do të kishin të mbivendosur edhe pullën e sigurisë, e cila i identifikon se ky produkt farmaceutik i ka kaluar të tëra këto hallka, është i certifikuar për vetitë ‘çudibërëse’ të reklamave dhe mbi të gjitha çmimi është i përcaktuar konform legjislacionit shqiptar. Për të gjithë kategorinë që flasim nuk e gjejmë këtë lloj konteksti. Oferta lidhet me aspektin financiar të joshjes për blerje, ndërsa koncepti ‘bar’ lidhet mirfilltazi me efektin që jep. Duhet ta heqim nga e përdorura në mënyrë të natyrshme, por pa e kuptuar pjesën bar, nuk janë barna!”
Sipas saj, shumica e produkteve që shiten përmes internetit klasifikohen si suplemente ushqimore dhe jo si barna, çka i vendos ato nën një institucion tjetër kontrolli dhe mbikëqyrjeje.
“Fatkeqësisht kategoria ‘suplement ushqimor’ edhe si target kontrolli nuk ka Ministrinë ë Shëndetësisë por kontrollohet nga AKU-ja, pra është një derë pranë Ministrisë së Bujqësisë. Suplementet duhet të shiten në farmaci dhe ligji e lejon të jetë pa zot. Mund edhe të abuzojnë dhe në të tillë situatë jemi, duke pasur parasysh sesa i lehtë është sot komercializimi i jetës. Duhet të jemi të kujdeshëm me termin ‘bar’ sepse reklamohen suplemente ushqimore, çajra, të cilat nuk janë barna as nga përfitimi i efekteve dhe as nga dozat. Në farmaci gjen barna dhe jo-barna por gjen dhe asistencë të një profesionisti të shëndetësisë, i cili ka njohuri të mjaftueshme për të të orientuar drejt përdorimit të duhur.”
Farmacistja ndaloi edhe te një nga bindjet më të përhapura te konsumatorët, mbi idenë se çdo produkt me origjinë bimore është automatikisht i padëmshëm. Sipas saj ky mit duhet rrëzuar.
“Jemi përfolur shumë për kultivimin e hashashit, i cili është bimor por jep tjetërsime të pakthyeshme mbi sistemin nervor. Nga tjetër gjetha e senës, bimore, është përdorur si laksativ dhe po u mbidozua është pugativ pasi bën një çrregullim të të tërë ekuilibrave elektrolitik të organizmit , prandaj duhet të merret në farmaci që të këshillohet sasia, mënyra e përdorimit dhe se çfarë kujdesi duhet të bëjnë pacientët.”
Për Tomën, skepticizmi ndaj produkteve që reklamohen pa certifikime dhe garanci zyrtare duhet të jetë i vazhdueshëm, pasi pasojat nuk lidhen vetëm me efektet e mundshme anësore.
“Unë e shoh me shumë skepticizëm sepse edhe nëse s’të ka bërë dëm produkti, të ka bërë dëm agravimi nga mosmjekimi me produktin e duhur, në kohën e duhur.”
Sipas farmacistes, ndonëse reklamat synojnë të gjitha grupmoshat, të moshuarit mbeten më të ekspozuar ndaj këtyre formave të mashtrimit, ndërsa mungesa e kontrollit në hapësirën online e bën problemin edhe më shqetësues.
“Në tërë këtë hambar mediatik dhe formës online të tregtimit, nuk prevalon kujdesi por prevalon zhvatja, përfitimi.”
Ekspertët këshillojnë që asnjë produkt i blerë online të mos përdoret pa konsultimin paraprak me mjekun ose farmacistin. Heqja dorë nga trajtimet e rekomanduara nga profesionistët e shëndetësisë në favor të produkteve të reklamuara në internet mund të ketë pasoja serioze për shëndetin dhe, në raste të caktuara, të rrezikojë edhe jetën e pacientëve.


