Tabaku ngre shqetësime për pavarësinë e AMA-s dhe menaxhimin financiar: Shqipërisë i duhet një rregullator i medias…

Kryetarja e Momisionit të Medias Jorida Tabaku deklaroi në seancën ku po paraqitej raporti vjetor se AMA në vitin 2025 kishte kryer 170 milionë lekë vetëm shpenzime për udhëtime dhe dieta.
“Janë mbi 4 milionë euro investime për sisteme, asete, kapacitete teknologjike që nuk janë realizuar. Llogaritë e AMA-s dhe fonde të pashpenzuara janë mbartur vit pas viti dhe pastaj janë absorbuar nga shpenzime operative, paga dhe udhëtime. Janë 4 herë më të larta se investimet teknologjike, ky zë. Kam nevojë për informacion për këtë çështje. Ju nuk jeni agjenci udhëtimesh, jeni institucion që do të rregullojë, investojë për teknologjinë dhe asetet”, tha Tabaku.
Institucioni nuk mohoi shifrat, por përdori si argument faktin që AMA vetëfinancohet.
“Dua të sjell në vëmendjen tuaj që ne jemi institucion tërësisht i pavarur dhe mbahemi krejtësisht me paratë që arkëtohen nga licencat dhe autorizimet e subjekteve tona.”
Në komision u theksua edhe fakti që AMA kishte planifikuar gjatë vitit 2022 -2023 rreth 400 milionë lekë investime por që sipas përfaqësuesve të opozitës nuk ishin realizuar kurrë
Sukses për kreun e AMA-S Armela Krasniqi ishte fakti se gjatë mandatit të saj janë rritur ndjeshëm gjobat ndaj televizioneve, duke vënë në dukje se deri në vitin 2022 nuk ka pasur sanksione dhe rasti i parë i përket vitit 2023.
“Në vitin 2023, 48 tërheqje vëmendjeje, 1 sanksion me gjobë. Ju lutem, shihni sesi janë shtuar sanksionet ndaj mediat. Në vitin 2024, 47 tërheqje vëmendjeje, 15 sanksione me gjobë vetëm për përmbajtje audiovizive. Në 2025, 94 tërheqje vëmendjeje, 12 sanksione financiare. Në vitin 2026, janë 36 tërheqje vëmendjeje dhe 8 sanksione, deri tani që s’ka mbaruar viti”, tha Krasniqi.
Si objektiv i vitit 2026 për Krasniqin është ndërrimi i studios së monitorimit, një angazhim që gjendet në çdo raport të viteve të fundit të institucionit, por ende i parealizuar.
“Ne jemi në pamundësi financiare dhe u jemi drejtuar edhe partnerëve. Unë u jam drejtuar zyrave të partnerëve për të pasur një bashkëfinancim të këtij instrumenti, pasi AMA mund të financojë deri në një pjesë”, tha Krasniqi.
Në parlament, kryetarja e AMA-s Armela Krasniqi mandati i së cilës ligjërisht ka përfunduar, tha se nuk është punë e institucionit që ajo drejton t’u dalë në mbrojtje gazetarëve dhe punonjësve të medias, por vetëm të vendosë gjoba dhe të masë kohën televizive me kronometër.
AMA ka dështuar dhe në ngritjen e një sistemi të matjes së audiencës, duke e kthyer tregun televiziv në një xhungël, ku reklamat trajtohen nga kompanitë si favore dhe jo si investime për aktivitetin e tyre.


