“Më ftuan për kafe, më sulmuan në qeli”/ Denis Bajri rrëfen si ndodhi përplasja në burgun e Fierit

Aktualitet

“Më ftuan për kafe, më sulmuan në qeli”/ Denis

Detaje të reja janë zbardhur nga përleshja e ndodhur në burgun e Fierit, ku mbetën të plagosur dy të dënuar. Pas incidentit, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka vendosur transferimin e dy prej të dënuarve të përfshirë në ngjarje.

Sipas burimeve Aldo Gjini është transferuar në burgun e sigurisë së lartë në Burrel, ndërsa Jurgen Zotaj është dërguar nga Spitali i Fierit në Qendrën Spitalore të Burgjeve në Tiranë. Në burgun e Fierit është mbajtur vetëm Denis Brajovic, i njohur edhe si Bajri.

Ndërkohë, policia e Fierit dhe prokuroria vijojnë hetimet për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e përleshjes mes të dënuarve, e cila përfundoi me plagosjen e Brajovic dhe Zotajt.

Në kuadër të hetimeve janë marrë në pyetje gjashtë punonjës të policisë së burgjeve, të cilët ndodheshin në detyrë në momentin e incidentit. Sipas burimeve, katër prej tyre pritet të pezullohen gjatë javës së ardhshme, nën dyshimin se kanë neglizhuar rregullat e sigurisë.

Nga pamjet e kamerave të sigurisë, Jurgen Zotaj dhe Aldo Gjini shfaqen duke lëvizur nga njëri sektor drejt sektorit ku ndodhej Brajovic, pasi këtij të fundit i ishte komunikuar nëse i priste apo jo për kafe. Më pas, tre të dënuarit takohen, përqafohen dhe zhvendosen në një ambient tjetër ku nuk ka kamera.

Megjithatë, sipas dëshmisë së marrë nga hetuesit, pak minuta më vonë situata ka ndryshuar dhe Brajovic është sulmuar me një send të improvizuar si armë e ftohtë.

Në dëshminë e tij, Brajovic ka deklaruar se ia ka rrëmbyer armën Jurgen Zotajt dhe me të i është kundërpërgjigjur sulmit.

Ai ka mohuar të ketë pasur konflikt me të dënuarit dhe ka thënë se e kishte pranuar takimin për kafe pasi njihte dhe kishte shoqëri me Aldo Gjinin.

“Le të vijnë sa të lajë sytë”, mësohet t’u ketë thënë Brajovic punonjësve të policisë, ndërsa më pas, sipas dëshmisë së tij, pas takimit me shokët është sulmuar për arsye që nuk arrin t’i shpjegojë.

Hetimet vijojnë për të zbardhur të plotë dinamikën e ngjarjes dhe për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për një incident të rastësishëm mes të dënuarve apo nëse përleshja ka qenë e porositur.

ME TE LEXUARAT