‘Po martohet Ronaldo’, thashethemi që solli kaos në Portugali/ Mbi 2 mijë njerëz pushtojnë katedralen në Funchal

Mbi 2 mijë persona u mblodhën para katedrales në Funchal të Portugalisë, pasi në rrjetet sociale dhe në disa media u përhapën zërat se Cristiano Ronaldo do të martohej fshehurazi me partneren e tij, Georgina Rodriguez.
Spekulimet nisën pasi disa media evropiane raportuan se çifti kishte zgjedhur katedralen historike të Funchalit për një ceremoni private. Zërat u përforcuan edhe nga pretendimet se një hotel luksoz pranë kishës ishte rezervuar për këtë rast.
Në rrjetet sociale qarkulluan edhe ftesa të rreme me kod veshjeje, ndërsa, megjithëse Ronaldo dhe Georgina nuk konfirmuan asgjë, mijëra fansa dhe turistë e morën lajmin si të mirëqenë dhe u mblodhën para katedrales.
Kaosi arriti kulmin kur një makinë luksoze Rolls-Royce mbërriti para kishës. Duke besuar se brenda ndodhej Georgina Rodriguez, qindra persona rrethuan automjetin, duke filmuar me telefonat dhe duke thirrur emrin e Ronaldos.
Stafi i kishës dhe shoqërueset e nuses u detyruan t’u shpjegonin të pranishmëve se në makinë nuk ndodhej Georgina, por Fatima Nicole, një banore e zonës që po martohej me partnerin e saj, Fabio Ramos.
Punonjësit e sigurisë larguan turmën për t’i hapur rrugë çiftit, ndërsa më vonë vetë katedralja publikoi fotografitë e dasmës, duke i dhënë fund zërave për një martesë sekrete të Cristiano Ronaldos.


