Ligji i ri për sigurimin e detyrueshëm, Drejtori i AMF: Merrni masa për zbatimin e plotë dhe pa vonesa!

Aktualitet

Ligji i ri për sigurimin e detyrueshëm, Drejtori i AMF: Merrni masa

Bordi i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare zhvilloi sot, më 15 qershor 2021, një takim me drejtuesit e shoqërive të sigurimit. Në takim u diskutua në lidhje me risitë dhe detyrimet që sjell ligji i ri “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, si edhe për ecurinë e tregut të sigurimeve pas vitit pandemik.

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së, Ervin Mete, u kërkoi drejtuesve të shoqërive të sigurimit marrjen e të gjitha masave të nevojshme për zbatimin e plotë dhe pa vonesa të ndryshimeve ligjore. Mete kërkoi hartimin e procedurave të brendshme për trajtimin e shpejtë të kërkesave për dëmshpërblim në rastet e Raportit Evropian të Aksidenteve, pajisjen e të gjithë personave të siguruar me këtë formular, si edhe informimin e qytetarëve në lidhje me kushtet e reja të kontratës së sigurimit të detyrueshëm TPL bazuar në ndryshimet ligjore.

Në zbatim të ligjit të ri që hyn në fuqi më 1 korrik 2021, Autoriteti është angazhuar në hartimin e një sërë rregulloresh, të cilat përpara miratimit po i nënshtrohen procesit të konsultimit publik. Në këtë kuadër, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv vuri theksin te zhvillimi i një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës në funksion të miratimit të akteve nënligjore jo vetëm cilësore, por edhe tërësisht të zbatueshme.

Treguesit e muajve të parë të vitit 2021 sugjerojnë rikthimin në normalitet të tregut të sigurimeve, i cili në nivel primesh të shkruara bruto, por edhe dëmesh të paguara ka përmirësim të ndjeshëm, krahasuar edhe me të njëjtën periudhë të vitit 2019. Në takim, Bordi u kërkoi shoqërive të sigurimit ruajtjen e një qasjeje konservatore dhe vëmendje të shtuar në treguesit e aftësisë paguese dhe mbulimit me provigjone.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion