"Kodra e dafinave" e shndërruar në parcelë hashashi, Policia e Fierit prangos 24 vjeçarin që kujdesej për "barishtet"

Aktualitet

"Kodra e dafinave" e shndërruar në parcelë hashashi,

Një 24 vjeçar nga fshati Cakran i Fierit është arrestuar nga Policia, pasi akuzohet se është autor i dyshuar i mbjelljes së 223 fidanëve kanabis. Gjatë kontrollit me dron në fshatin Gjorgoz, efektivët kanë konstatuar një sipërfaqe të mbjellë me drogë.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier gjatë kontrollit të territorit, nga toka dhe nga ajri, duke përdorur dronë, në vendin e quajtur "Kodra e dafinave", në fshatin Gjorgoz, kanë konstatuar një parcelë në të cilën ishin kultivuar 223 fidanë narkotikë kanabis.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier kanë organizuar punën dhe kanë vënë në pranga autorin e dyshuar të rastit, shtetasin R.M, 24 vjeç, banues në Cakran. Fidanët u asgjësuan nëpërmjet djegies.

Gjithashtu, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier gjetën dhe asgjësuan 90 fidanë narkotikë cannabis sativa, në territorin e njësisë administrative Portëz, ndërsa vijon puna për identifikimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të autorit/ve të këtij rasti kultivimi.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.

 

ME TE LEXUARAT