Kapet me kanabis dhe kokainë në makinë, arrestohet 41-vjeçari në Vlorë

Një 41-vjeçar është arrestuar në Vlorë pasi u kap në automjet me lëndë narkotike. Në pranga ka rënë Ervis Vulo, i cili u ndalua teksa lëvizte me një automjet tip “Hyundai”, brenda të cilit u gjet një sasi kokaine dhe kanabisi sativa, të ndarë në 4 ambalazhime plastike.
41-vjeçari rezulton të jetë punonjës në burgun e Fierit dhe sipas policisë së Vlorës, ai do ta shiste lëndën narkotike në qytetin bregdetar.
Njoftimi i policisë:
DVP Vlorë
Vijojnë kontrollet nga shërbimet e Policisë Vlorë, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve.
Vihet në pranga një 41-vjeçar, i cili transportonte në automjet lëndë narkotike, me qëllim shitjen e saj në qytetin e Vlorës.
Sekuestrohen sasi kokaine dhe kanabisi, gati për shitje.
Në vijim të kontrolleve të intensifikuara dhe bazuar në informacionet e siguruara, shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, me ndërhyrjen e menjëhershme të Forcës së Posaçme Shqiponja, organizuan dhe finalizuan goditjen e një rasti të shitjes së lëndëve narkotike. Si rezultat, u arrestua në flagrancë shtetasi:
• E. V., 41 vjeç, banues në Lushnjë.
Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip “Hyundai”, me drejtues këtë shtetas, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë dhe një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis sativa, të ndara në 4 ambalazhime plastike.
Në përfundim të veprimeve, materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.


