Jep dorëheqjen kreu i IMT-së në Durrës pak muaj pas emërimit

Aktualitet

Jep dorëheqjen kreu i IMT-së në Durrës pak muaj pas

Kreu i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, Ilir Ngresi, ka dhënë dorëheqjen nga detyra, pas një takimi me kryetaren e bashkisë, Emiriana Sako.

Largimi i tij vjen në një periudhë të ndjeshme për IMT-në e cila, bashkë me ndërmarrje të tjera të bashkisë janë angazhuar në një aksion të gjerë për prishjen e objekteve të ndërtuara mbi kanalet kulluese, ndërhyrje e konsideruar me rëndësi për zgjidhjen e një problematike të hershme që ka prekur qytetin dhe banorët e tij. Jo vetëm ky aksion, po dhe të tjera në proces.

Burime pranë bashkisë e lidhin dorëheqjen me ngarkesën dhe presionin e lartë që shoqëron funksionin, në një sektor ku ndërthuren konfliktet me interesat, përplasjet me qytetarët dhe përgjegjësitë e forta administrative. Pesha e zbatimit të vendimmarrjeve të vështira, por edhe ekspozimi i vazhdueshëm ndaj tensioneve në terren, mësohet se kanë ndikuar në vendimin për t’u tërhequr.

Gjatë muajve të fundit, Ngresi u përball edhe me situata të forta kundërshtimi publik. Në shkurt, ai u vu në qendër të reagimeve të banorëve të qendrës historike të qytetit, të prekur nga projekti TID Durrës, të cilët e akuzuan për firmën në shkresën që kërkonte largimin vullnetar nga banesat brenda afateve të përcaktuara.

Dorëheqja e tij vjen pas një periudhe të shkurtër, por të shoqëruar me sfida, ndërsa mbetet për t’u parë se kush do të marrë drejtimin e IMT Durrës në vijim, në një kohë kur aksionet në terren për lirimin e hapësirave publike vazhdojnë.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion