Iu plagosën femijët në atentat, Gentian Bejtja i shpëtoi dy atentateve me armë e tritol

Gentjan Bejtja, dyshohet të jetë objektivi i atentatit të sotëm në banesën e tij, ku mbeti i vrarë kunati i tij 29-vjeçar dhe u plagosën dy fëmijët e tij (djemtë) 13 dhe 10 vjeç. Por kjo nuk është hera e parë që Bejtja i shpëton një atentati, në vitet 2022 dhe 2016 ai u shpëtoi dy atentateve.
Atentati i vitit 2016

Një sasi eksplozivi e vendosur në një automjet tip VË Touareg, me targë “AA 020 BH” ka shpërthyer në Fushë Krujë, duke plagosur drejtuesin e mjetit. Lajmin e bëjnë të ditur burime policore lokale, sipas të cilave personi i plagosur rezulton të jetë shtetasi Gentian Bejtja, person me precedentë penalë për krime kundër personit.
I plagosuri është dërguar drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërkohë që po kryhen hetime për të hedhur dritë mbi ngjarjen.
Por kush është Gentian Bejtja?
Emri i 35-vjeçarit u përmend si personi, i cili dyshohet se së bashku me Enver Stafukën ka vjedhur makinën me të cilën u krye vrasja e kryekomisar Dritan Lamajt 24 shkurt 2013.
Por me vendim gjykate, Bejtja dhe Stafuka u shpallën të pafajshëm me 13 nëntor 2013, pasi u vlerësua se nuk kishte prova të mjaftueshme për dënimin e tyre për akuzën e vjedhjes në bashkëpunim. Ndërkohë Enver Stafuka rezulton i zhdukur prej shkurtit 2015. Policia thotë se makina shpërtheu ne levizje e sipër. “Në pjesën e përparme të automjetit tip Touareg me targa AA 020 BH është vendosur dhe ka shpërthyer një sasi e vogël lënde eksplozive. Në momentin e shpërthimit mjeti ka qenë në lëvizje”.
Atentati i vitit 2022

Një atentat me armë zjarri ndaj Gentian Bejtjas ka ndodhur në zonën e Niklës në Fushë-Krujë. Së bashku me të ka mbetur i plagosur edhe një shoku i tij, Klodjan Stafuka.
Dy të plagosurit janë dërguar në Spitalin Ushtarak në kryeqytet për të marrë ndihmë mjekësore. Mësohet se Bejtja ka plagë plumbi në krah dhe ndodhet jashtë rrezikut.
Dyshohet që shënjestër e atentatit ka qenë Gentian Bejtja, person i njohur për policinë. Ai ka qenë duke udhëtuar me makinën tip “Alfa Romeo” kur u qëllua nga një automjet tjetër në lëvizje.
Për shkak të humbjes së kontrollit të mjetit, pasagjeri që ndodhej me të, Klodjan Stafuka, mbeti i plagosur si pasojë e aksidentit.
41-vjeçari Gentian Bejtja ka rënë pre e një atentati edhe në vitin 2016, kur në automjetin e tij shpërtheu një sasi tritoli. Ai mbeti i plagosur nga atentati me tritol në atë kohë.
41-vjeçari rezulton person me precedent të mëparshëm penal në fushën e krimeve kundër personit dhe krimeve kundër pronës.
Ai njihet edhe si mik i Enver Stafukës, edhe ky i fundit person i njohur nga autoritetet policore por që prej vitit 2015 rezulton të jetë i zhdukur. Njësoj si Gentian Bejtja, edhe Enver Stafuka ishte dyshuar 9 vite më parë për vjedhjen e makinës BMË.
“Më datë 09.01.2022, rreth orës 18:00, në Spitalin Ushtarak, janë paraqitur për ndihmë mjekësore, shtetasit: G. B., rreth 41 vjeç, i cili në rrethana ende të paqarta dyshohet se është plagosur me armë zjarri në krah, gjatë kohës që po drejtonte automjetin dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. K. S., rreth 31 vjeç, i cili është lënduar në aksident rrugor në Nikël, afër një karburanti, pasi mjeti që drejtonte shtetasi G. B., ku shtetasi K. S. ishte pasagjer, ka dalë nga rruga. Menjëherë shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor kanë shkuar në vendngjarje dhe vijon puna për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit”, njofton policia.


