I mori 700 euro të burgosurit për leje, GJKKO jep dënimin për ish-shefin e regjimit në burgun e Lushnjes (EMRI)

Aktualitet

I mori 700 euro të burgosurit për leje, GJKKO jep dënimin

Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (GJKKO) ka dënuar me Irakli Lekën, ish shefin e regjimit të burgut të Lushnjes, për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Irakli Leka u arrestua në shtator të vitit të kaluar pas denoncimit në një emision investigativ, pasi ai i kishte marrë 700 euro një të burgosuri në këmbim të dhënies së lejes së përkohshme të tij në burgun e Lushnjes. GJKKO e shpalli atë fajtor me akuzën “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe e dënoi me 3 vite e tre muaj burg. Në aplikim të gjykimit të shkurtuar, dënimi iu ul në 2 vite e dy muaj.

Si përfundim, gjykata vendosi pezullimin e dënimit, duke e vënë në shërbim prove për një periudhë kohore 2 vjet, me kusht që gjatë kohës së provës i pandehuri të mos kryejë vepër tjetër penale. Gjykata thotë po ashtu se, duke qenë se dënii me burgim u pezullua me kusht, i shuhet edhe masa e arrestit në shtëpi.

Irakli Lekës i është hequr e drejta për të ushtruar funksione publike për 5 vite.

Vendimi i plotë i GJKKO:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Gjykimin e çështjes penale në ngarkim të të pandehurit Irakli Leka”.

Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtaret Flojera Davidhi, Atalanta Zeqiraj dhe Marinela Osmani, me vendimin nr. 16, datë 16.02.2026 vendosi:
Deklarimin fajtor të të pandehurit Irakli Leka për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259, paragrafi dytë të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 3 (tre) vjet e 3 (tre) muaj burgim.
Në aplikim të nenit 406/1 të K.Pr.Penale, të pandehurit Irakli Leka i zbritet 1/3 e masës së dënimit me burgim, duke u dënuar përfundimisht me 2 (dy) vjet e 2 (dy) muaj burgim.
Në zbatim të nenit 59 të K.Penal, pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim, duke e vënë në provë të pandehurin Irakli Leka për një periudhë kohore 2 (dy) vjet, me kusht që gjatë kohës së provës i pandehuri të mos kryejë vepër tjetër penale dhe gjatë kësaj kohe i pandehuri detyrohet të mbajë kontakte me Drejtorinë e Shërbimit të Provës që mbulon vendbanimin e tij.
Bazuar në nenin 261 dhe 389 të Kodit të Procedurës Penale duke qenë se dënimi me burgim u pezullua me kusht, konstatohet shuarja e masës së sigurimit “arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, caktuar ndaj të pandehurit Irakli Leka, me vendimin nr. 94, datë 19.09.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Tiranë.
Në aplikim të nenit 35 të Kodit Penal heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike për të pandehurin Irakli Leka, për një periudhë kohore prej 5 (pesë) vjet.
Në aplikim të nenit 190, pika 1, gërma “ç” të Kodit të Procedurës Penale provat materiale të sekuestruara:  aparati celular i markës “Iphone”, me ngjyrë të zezë, me nr. IMEI ****, dhe një kartë SIM e kompanisë “Vodafone”, me nr. tel. ****, t’i kthehen të pandehurit Irakli Leka, ndërkohë, Një USB e markës “Verbatim”, me ngjyrë të zezë, me nr. ****, në të cilën është ngjitur një letër e bardhë me mbishkrimin “Proc.Penal Nr. 179/2025”, në të cilën ndodhet akti i ekspertimit kompjuterik; Një DVD e markës “Verbatim”, me ngjyrë gri, me mbishkrimin me shkrim dore me ngjyrë të kuqe “STOP 16.09.25”, administruar me këqyrje dhe marrje nga drejtuesi i emisionit “STOP”, të mbeten pjesë e dosjes gjyqësore.
Në mbështetje të nenit 485/3 të K.Pr.Penale, shpenzimet procedurale dhe ato gjyqësore sipas formularit bashkëlidhur, i ngarkohen të pandehurit.
Kundër këtij vendimi lejohet ankim brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi të arsyetuar.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion