Atentati me dy të vrarë dhe dy të plagosur në Shkodër, policia identifikon autorin!

Policia jep detaje për atentatin në Shkodër. Autori i vrasjes është identifikuar si Rakip Gila. Autori i masakrës me dy të vrarë dhe dy të plagosur në një lokal në Shkodër ka bërë aksidenti në dalje të qytetit në tentativë për t’iu larguar policisë. Mësohet se ai është aksidentuar te ura e trenit dhe më pas në këmbë ka tentuar që t’i ikë policisë në pjesën e lumit Kir.
Ai është vënë në pranga nga forcat Shqiponja, ndërsa është sekuestruar edhe arma e krimit. Mësohet se ai krimin e ka kryer me një motor ndërsa më pas ka tentuar të largohet me automjetin tip BMW.
"Shkodër / Informacion paraprak. Rreth orës 08:50, në lagjen “Qemal Stafa”, në ambientet e jashtme të një lokali, dyshohet se shtetasi R. G. ka qëlluar me armë zjarri dhe si pasojë janë plagosur shtetasi E. V. (B.), 43 vjeç, i cili ndodhet nën kujdesin e mjekëve, si dhe shtetasja M. K., 25 vjeçe, e cila është dëmtuar lehtë.
Gjithashtu, si pasojë e të shtënave, ka humbur jetën në vendngjarje shtetasi A. P., ndërsa në Spitalin Rajonal Shkodër ka ndërruar jetë edhe shtetasi L. K. (L.), 31 vjeç. Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe janë vënë në ndjekje të autorit. Pas disa minutash ndjekjeje, bënë të mundur kapjen e tij dhe sekuestruan një armë zjarri automatike.
Ndërkaq, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarje", njofton policia.


