Eklipsi diellor i 12 gushtit/ Paralajmërojnë mjekët: Kujdes me këtë veprim që mund të bëni, është me rrezik

Aktualitet

Eklipsi diellor i 12 gushtit/ Paralajmërojnë mjekët: Kujdes me

Eklipsi diellor i 12 gushtit do të jetë një spektakël i rrallë në qiell, por mjekët paralajmërojnë se shikimi i tij pa mbrojtjen e duhur mund të shkaktojë dëmtime të përkohshme ose të përhershme të shikimit. Sipas ekspertëve, syzet e zakonshme të diellit nuk ofrojnë mbrojtje të mjaftueshme.


Monica Varano, drejtoreshë shkencore e Institutit IRCCS Bietti në Itali, shpjegon se gjatë eklipsit fuqia e rrezeve të Diellit nuk zvogëlohet. Ekspozimi i syve ndaj Diellit pa mbrojtje mund të shkaktojë retinopati diellore, e njohur edhe si "verbëri nga eklipsi", ose makulopati fototraumatike, një dëmtim i rëndë i retinës.


Sipas saj, dëmtimi mund të jetë i përkohshëm ose i përhershëm dhe nuk shkakton dhimbje, ndaj simptomat mund të shfaqen vetëm disa orë ose edhe disa ditë më vonë.

Ekspertët theksojnë se syzet e zakonshme të diellit, xhamat e nxirë, filmat radiografikë apo filtrat e improvizuar nuk mbrojnë sytë. E vetmja mënyrë e sigurt për të parë eklipsin është përdorimi i syzeve të certifikuara sipas standardit ISO 12312-2, të cilat duhet të vendosen përpara se të shikohet drejt Diellit dhe të mbahen gjatë gjithë kohës së vëzhgimit.


Nëse pas eklipsit shfaqen shqetësime, edhe të lehta, si turbullim i shikimit apo probleme të tjera vizuale, mjekët këshillojnë konsultë të menjëhershme me një okulist.

Më të rrezikuar janë fëmijët dhe adoleshentët, pasi sytë e tyre janë më të ndjeshëm ndaj dëmtimeve. Ekspertët u rekomandojnë prindërve t'i mbikëqyrin gjatë gjithë kohës dhe të sigurohen që përdorin syzet e posaçme.

Rrezik më të lartë kanë edhe të moshuarit, personat me sëmundje të syve ose ata që kanë kryer ndërhyrje kirurgjikale okulistike.

Mjekët rikujtojnë se shikimi i drejtpërdrejtë i Diellit mund të dëmtojë makulën, pjesën qendrore të retinës përgjegjëse për shikimin e qartë. Ky dëmtim mund të shkaktojë humbje të shikimit qendror dhe nuk ka trajtim specifik për rikuperimin e indit të dëmtuar të retinës.

ME TE LEXUARAT