Dibër/ Plagosi me armë zjarri 32-vjeçarin, përfundon në pranga autori

Drejtoria Vendore e Policisë Dibër ka bërë me dije se është ndaluar dhe vënë në pranga autori i dyshuar i ngjarjes së ndodhur më 13 nëntor 2025, ku një 32-vjeçar mbeti i plagosur pas një tentative vrasjeje me armë zjarri.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaluan shtetasin H.B., 32 vjeç, banues në Bulqizë, i cili ishte shpallur në kërkim. Sipas Policisë, dyshohet se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti të mëparshëm midis autorit dhe shtetasit A.T., 32 vjeç, po nga Bulqiza. Gjatë konfliktit, H.B. dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri, duke lënë të plagosur A.T.
Gjatë veprimeve hetimore, Policia ka sekuestruar si provë materiale një pistoletë së bashku me 5 fishekë, armë me të cilën dyshohet se është kryer tentativa e vrasjes.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër për veprime të mëtejshme hetimore dhe ligjore.
Autoritetet vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.


