Berisha shkon në SPAK, militantët demokratë protestë para Prokurorisë së Posaçme

Kreu i PD, Sali Berisha është paraqitur në SPAK pak minuta më parë mëngjesin e sotëm në zbatim të masës së sigurisë për Dosjen “Partizani”.
I shoqëruar nga Luçiano Boci, Berisha zbrit nga makina i buzëqeshur ndërsa pritej nga militantët demokratë në formë proteste.
Para SPAK ndodhen dhe një pjesë e strukturës së Partisë Demokratike në mbështetje të liderit demokart.
Në seancën e kaluar avokatët e kryedemokratit Sali Berisha, kërkuan përjashtimin e gjyqtares së seancës paraprake, Flojera Davidhi. Kërkesa e mbrojtjes u rrëzua nga gjyqtarja Etleva Deda dhe do të jetë Davidhi ajo që do të vendosë.
Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi janë nën akuzë në lidhje me privatizimin e ish-kompleksit sportiv. Berisha ka deklaruar më herët se vendimi për masën e sigurisë “detyrim paraqitje” nga Apeli i Posaçëm për çështjen “Partizani” është një krim kushtetues.
Ai është shprehur se prokurorët e SPAK kanë kërkuar vendosjen e masave të sigurisë kundrejt tij me arsyetimin se ai po sulmon Prokurorinë e Posaçme dhe gjykatën. Berisha u lirua më 27 nëntor 2024, pas rreth një viti në arrest shtëpiak, për shkak të akuzave për përfshirje në dosjen “Partizani.”
Ish-kryeministri është marrë i pandehur për korrupsion pasiv, bashkë me dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, i cili vazhdon të jetë në arrest shtëpie.


