Arrestime me letër-porosi nga Finlanda! Dumani: Goditëm disa grupe kriminale të trafikut të drogës

Aktualitet

Arrestime me letër-porosi nga Finlanda! Dumani: Goditëm disa grupe

Një operacion i gjerë antidrogë ka çuar në goditjen e disa grupeve kriminale që vepronin në trafikun dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike.

Lajmi u konfirmua nga kreu i SPAK, Altin Dumani, i cili deklaroi se operacioni është rezultat i një hetimi të thelluar dhe bashkëpunimi të ngushtë me autoritetet finlandeze.

Arrestimet u kryen pas letër-porosive të mbërritura nga Finlanda, ndërsa hetimet kanë zbuluar aktivitetin e grupeve në trafikun e kokainës, heroinës dhe marihuanës.

Në një deklaratë për mediat, Dumani theksoi se ky hetim shënon një moment të veçantë për institucionin që ai drejton.

Ai sqaroi se krimi i organizuar shqiptar ka zgjeruar aktivitetin e tij edhe në vendet nordike, përfshirë Finlandën, dhe se bashkëpunimi mes dy autoriteteve ka çuar në goditjen e disa grupeve kriminale përgjegjëse për trafikun dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike.

“Kam nderin dhe kënaqësinë që sot të bëjmë publike rezultatet e një hetimi të përbashkët mes SPAK dhe autoriteteve finlandeze. Krimi shqiptar ka shtrirë aktivitetin e tij edhe në vendet nordike, përfshirë Finlandën. Autoritetet lijgzbatuese nordike i kanë dhënë besim institucioneve tona. Kjo na ka mundësuar goditjen disa grupeve kriminale, përgjegjës për trafikimin e disa drogërave. Kemi goditur disa grupe të rëndësishme të trafikut të drogës, që shpërndanin kokainë, heroinë, marijuanë etj.

Hetimi është rezultat i një hetimi të gjatë dhe një bashkëpunimi tepër të mirë me autoritetet finlandeze. Dua të falënderoj Policinë e Shtetit dhe çdo prokuror të posaçëm për punën e shkëlqyer që ka bërë. Ky hetim është rezultat i një hetimi të gjatë” deklaroi Dumani.

ME TE LEXUARAT