Akuza për ndërtim pa leje e falsifikim dokumentash, Apeli liron ish-drejtorin e ASHK Sarandë Mariel Murati

Aktualitet

Akuza për ndërtim pa leje e falsifikim dokumentash, Apeli liron

Gjykata e Apelit ka liruar nga qelia ish-Drejtorin e ASHK Sarandë, Mariel Murati. Ai qëndroi për 26 ditë nën arrest, prej ditës kur u vetëdorëzua në Komisariatin e Sarandës.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë caktoi ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “ndërtim i paligjshëm” dhe “falsifikim dokumentash” pas kërkesës së Prokurorisë së Rrethit, e cila kishte lëshuar urdhër ndalimi për Muratin dhe 10 zyrtarë dhe ish zyrtarë të tjerë të ASHK, Bashkisë dhe IKMT.

Gjyqtari Genti Shala ai që ka ndryshuar vendimin e Gjykatës së Sarandës, duke vendosur lirimin në sallë të gjyqit për 47-vjecarin. Mariel Murati akuzohet nga Prokuroria e Sarandës se ka ndërtuar pa leje një hotel 7 katësh në lagjen nr.4 të Sarandës dhe më pas e ka legalizuar atë.

Pasi legalizimi u kap me shkelje nga KLSH dhe ju vendos masë kufizimi, dyshohet se Murati ka paraqitur në ASHK një akt ekspertimi të falsifikuar. Po sot në Gjykatën e Apelit Tiranë, u shqyrtua edhe masa e sigurisë për 9 të ndaluarit e tjerë të operacionit të nisur në 13 mars.

Gjyqtarja Brikena Ukperaj ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Sarandës për masat e sigurisë “Arrest në shtëpi”’për zyrtarët e ASHK, Erald Lika dhe Ermen Stroka, “detyrim paraqitje” për zyrtarët dhe ish-zyrtarët e ASHK dhe IKMT, Andri Dhima, Ina Papa, Denis Balili e Manushaqe Saliko si dhe “detyrim paraqitje” dhe “pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për zyrtarët dhe ish-zyrtarët e IMT të Bashkisë Sarandë, Viktor Qesari, Tonin Simoni e Oltion Durmishi.

Prokuroria e Sarandës kishte apeluar vendimin e Gjykatës së Sarandës, duke kërkuar “Arrest në shtëpi” për të gjithë të akuzuarit që ndodheshin në “detyrim paraqitje” përvec Papës e Salikos, por kjo nuk u pranua sot nga Gjykata e Apelit. Zyrtarët e mësipërm akuzohen për “shpërdorim detyre” pasi kanë lejuar të ndërtohet dhe më pas kanë legalizuar hotelin 7 katësh të Mariel Muratit.

Në kërkim për operacionin e nisur në 13 mars vazhdon të jetë ish-Drejtoresha e ASHK Sarandë, Kozeta Statha.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion