AKU bllokon mbi 7 ton djathë të bardhë në Shkodër, vendos gjoba dhe mbyll aktivitetin e subjektit

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në Shkodër ka ndërmarrë masa ndaj një subjekti ushqimor, duke bllokuar 7,196 kg djathë të bardhë lope për shkak të mosrespektimit të standardeve higjieno-sanitare.
Trupa inspektuese vendosi ndalimin e menjëhershëm të aktivitetit të subjektit deri në plotësimin e kushteve të kërkuara.
Përveç bllokimit, ndaj subjektit janë vendosur gjoba administrative: 300,000 lekë për shkelje të higjienës dhe 100,000 lekë për mungesë të gjurmueshmërisë së produkteve, sipas Ligjit Nr. 9863 “Për ushqimin”.
AKU njofton se kontrollet do të vijojnë me intensitet për të garantuar sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e konsumatorëve.


