Aksidenti i rëndë në Borsh/ Çifti u nisën për të shitur peshq, Benz”-i me shpejtësi skëterrë u merr jetën

Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e dy personave ka ndodhur ditën e djeshme në aksin rrugor që të çon në plazhin e Borshit, një zonë e mbipopulluar gjatë sezonit veror.
Ngjarja e rëndë u regjistrua kur një furgon që transportonte peshk, me të cilin po udhëtonin bashkëshortët Kastriot dhe Donika Mehmeti, përkatësisht 62 dhe 54 vjeç, u godit me forcë nga një automjet tip “Mercedes-Benz”. Sipas dëshmive nga vendngjarja, shkak i aksidentit dyshohet të jetë shpejtësia tepër e lartë me të cilën lëvizte Benz-i.
Përplasja ka qenë e fortë, duke bërë që automjeti të devijojë dhe të spostohet drejt trotuarit, duke rrezikuar edhe kalimtarët e rastësishëm. Edhe pse çifti ishte me rrip sigurimi, ata nuk arritën t’i mbijetojnë goditjes fatale. Të dy u transportuan pa shenja jete drejt morgut të spitalit të Sarandës.
Në mjetin Benz udhëtonin Myfit Qejvanaj, drejtuesi i mjetit, dhe Petrit Kapllanaj, pasagjer. Qejvanaj ndodhet në gjendje të rëndë, me frakturë në kokë dhe hemorragji të brendshme, dhe është transportuar me helikopter drejt Spitalit të Traumës në Tiranë. Ndërkohë, pasagjeri Kapllanaj ndodhet në gjendje të stabilizuar nën kujdesin e mjekëve në Sarandë.
Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit, ndërsa ekspertiza pritet të përcaktojë me saktësi shkakun e përplasjes fatale.


