Adriatik Llalla kërkon t’i shpëtojë dy viteve burg, sot seanca në GJKKO për parashkrimin e dënimit

Në Gjykatën e Posaçme zhvillohet sot seanca e radhës për kërkesën e ish-Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, i cili kërkon që dënimi i dhënë në vitin 2021 për fshehje pasurie të konsiderohet i parashkruar.
Gjykata e Posaçme (GJKKO) zhvillon sot, në orën 08:30, seancën e radhës për kërkesën e ish-Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, për parashkrimin e dënimit me dy vite burgim për fshehje pasurie.
Seanca e mëparshme, e cila ishte parashikuar të zhvillohej më herët, u shty pasi prokurorja e Posaçme e SPAK, Enkelejda Millonai, kërkoi kohë për t’u njohur me materialet e referuara në proces.
Llalla kërkon që vendimi i formës së prerë i vitit 2021, përmes të cilit u dënua me dy vite burg, të konsiderohet i parashkruar. Argumenti i tij lidhet me faktin se kanë kaluar afro pesë vite nga dhënia e vendimit, pa e vuajtur dënimin.
Ish-kreu i Prokurorisë së Përgjithshme nuk ishte i pranishëm në seancën e kaluar dhe u përfaqësua nga avokati i tij.
Ndërkohë, Adriatik Llalla vijon të jetë në kërkim nga autoritetet shqiptare. Gjatë hetimeve ndaj tij, ai u largua drejt Italisë, ku u arrestua dhe më pas u la nën masa mbikëqyrjeje, pa iu dorëzuar autoriteteve shqiptare.
Procesi penal ndaj ish-kryeprokurorit vijoi në Shqipëri, ndërsa tashmë pritet që GJKKO të shqyrtojë kërkesën e tij për parashkrimin e dënimit.


