Abuzuan me 230 mijë € dhe dh*nuan protestuesit: Arrestohen kryebashkiaku dhe kupola e policisë serbe

Prokuroria e Lartë Publike në Novi Sad ka goditur një rrjet abuzimesh financiare me fondet publike, duke prangosur kryetarin e Komunës së Inxhijës, Marko Gašić, si dhe pesë persona të tjerë. Pjesë e hetimit është edhe një person i shtatë, i cili është shpallur në kërkim. Të ndaluarit akuzohen për një sërë shkeljesh të rënda,përfshirë manipulimin e prokurimeve publike, shpërdorimin e detyrës dhe pastrimin e parave.
Sipas dosjes hetimore, bëhet fjalë për një skemë të shtrirë gjatë periudhës 2023–2025, ku në qendër të abuzimeve janë kryetari Gašić dhe zyrtari me iniciale U.T., në cilësinë e drejtuesve të ndërmarrjes vendore "Inđija put". Ata dyshohet se kanë paracaktuar fituesin e tenderëve për vendosjen e sinjalistikës rrugore në komunitet.
Sipas prokurorisë, procedura është zhvilluar në kundërshtim me ligjin për të favorizuar një kompanie të caktuar. Më pas, nga arka e shtetit janë autorizuar pagesa në vlerën e rreth 230 mijë eurove (26.9 milionë dinarë serbë) për punime që nuk u realizuan kurrë.
Në këtë skemë mashtrimi dyshohet se u përfshinë edhe tre zyrtarë të tjerë (Đ.V., Đ.D. dhe D.M.), të cilët falsifikuan dhe certifikuan dokumentacionin teknik për të justifikuar kalimin e fondeve. Paralelisht, një tjetër person me inicialet T.J. po hetohet për pastrim parash, pasi përdori fatura fiktive për shërbime ndërtimi me qëllim humbjen e gjurmëve të parave të vjedhura.

Të arrestuarit do të mbahen në ndalim për 48 orë për t'u marrë në pyetje nga Departamenti Special Kundër Korrupsionit në Novi Sad.
Kthesa politike pas rënies së Vuçiçit
Aksioni i fundit vjen në një moment delikat tranzicioni politik për Serbinë, menjëherë pas certifikimit të zgjedhjeve parlamentare të 25 tetorit. Këto zgjedhje shënuan fundin e pushtetit të Aleksandar Vuçiçit, i cili kishte dhënë dorëheqjen nga me shtatorin e kaluar për të garuar në zgjedhje. Koalicioni i tij arriti të merrte vetëm 103 mandate, ndërsa "Lista e Studentëve" korri një fitore të thellë duke siguruar 140 nga 250 ulëset e parlamentit.
Ngritja e lëvizjes studentore – e cila lindi si reagim ndaj korrupsionit shtetëror – ka sjellë një valë të re llogaridhënieje. Përveç rasteve të abuzimit me fondet publike, drejtësia ka nisur goditjen edhe ndaj kupolës policore të përfshirë në dhunën ndaj protestuesve.
Me urdhër të Gjykatës së Beogradit, është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh për nëntë zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë të policisë. Mes të arrestuarve janë:
Marko Kričak (kreu i Drejtorisë së Policisë Kriminale)
Igor Žmirić (komandant i Njësisë Speciale Antiterroriste – SAJ)
Boško Sekulović (drejtues i Shërbimit për Luftën kundër Krimit)
Milan Vuković (ish-zyrtar policie)
Ata hetohen për sulmin dhe dhunimin e studentes Nikolina Sinđelić dhe aktivistëve të tjerë brenda ambientit të Qeverisë së Serbisë gjatë natës së 14–15 gushtit 2025.


