A do të kandidojë për Tiranën? Ja si përgjigjet Blendi Gonxhja

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, është pyetur nëse do të kandidojë për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e 9 majit.
Gjatë një interviste për Report TV, ai është shprehur se nuk ka ambicie apo projekt personal për të kandiduar, por theksoi se do të ishte i gatshëm të jepte kontributin e tij nëse Partia Socialiste do të kishte një projekt të tillë.
“Di të them që gjatë gjithë jetës sime nuk ka ndodhur ndonjëherë që të kem deklamuar, folur, kërkuar, thënë, trokitur, lutur, s’e kam bërë. Që të kem një projekt personal nuk e bëj dot dhe ta shpalos. Në këtë aspekt unë jam një prej shumë deputetëve të PS, natyrisht që jo të gjithë e njohin njësoj Tiranën, jo të gjithë e kanë jetuar Tiranën njësoj, jo të gjithë kanë sedrën për Tiranën, unë kam një pjesë të mirë të sedrës time të lidhur me Tiranën sepse kam punuar në bashkinë Tiranë.
Kam punuar edhe kryetarit të bashkisë Edi Rama, kam punuar edhe krah kryetarit Veliaj… Jam duke thënë, si shumë prej atyre që militojnë, punojnë, angazhohen, nuk do të lija gjë pa bërë që të ndihmoja kauzën, Tiranën projektin.
Nëse PS do të kishte një projekt i cili do kërkonte angazhimin tim për Tiranën, unë përderisa jam sot pjesë e qeverisjes së PS dhe e kabinetit Rama nuk diskutohet që do të isha këtu për të dhënë kontributin tim. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm që kjo mos të tingëllojë si Blendi që kërkon një gjë që nuk e vendos Blendi", tha Gonxhja.

