816 shitje k*kaine në 6 muaj në Itali/ Dënohen me burg 3 shqiptarë, porositë koordinoheshin nga Shqipëria

Bota

816 shitje k*kaine në 6 muaj në Itali/ Dënohen me burg 3

Autoritetet italiane kanë dënuar me burg tre shtetas shqiptarë, të akuzuar për trafikimin dhe shitjen e kokainës në qytetin e Peruxhias. Dënimet e dhëna nga Gjykata e Peruxhias variojnë nga 2 vjet e 10 muaj deri në 3 vjet burg, ndërsa hetimet kanë zbuluar një skemë shpërndarjeje të drogës që dyshohet se funksiononte përmes një baze logjistike në Itali dhe porosive që merreshin nga Shqipëria.

Mediat italiane shkruajë se tre shqiptarët, të moshës 35 deri në 43 vjeç, përdornin një bazë në zonën Ponte della Pietra, nga ku dyshohet se organizuan rreth 816 shitje kokaine në më pak se gjashtë muaj. Aktiviteti i tyre u bë objekt i hetimeve të autoriteteve italiane, të cilat zbuluan mënyrën se si koordinoheshin porositë dhe shpërndarja e lëndës narkotike.

Gjatë shqyrtimit të çështjes, gjykata rikualifikoi veprën penale të trafikut të narkotikëve, duke marrë parasysh sasinë e vogël të drogës. Megjithatë, akuza që lidhet me aktivitetin e organizuar kriminal mbeti në fuqi. Një element i rëndësishëm i hetimit lidhet edhe me një person të katërt, i cili dyshohet se vepronte nga Shqipëria, por që nuk u identifikua asnjëherë nga autoritetet italiane.

Sipas dokumenteve të prokurorisë, ky person përdorte një telefon celular me kartë SIM italiane për të marrë kërkesat e klientëve që dëshironin të blinin kokainë. Më pas, ai ua përcillte porositë bashkëpunëtorëve në Peruxhia, të cilët organizonin dorëzimin e drogës te blerësit.

Hetuesit nuk arritën të përcaktonin identitetin e personit që merrte porositë nga ana tjetër e Adriatikut, ndërsa mbetet e paqartë se si komunikimet përcilleshin te personat që kryenin shpërndarjen në Itali. Tre të pandehurit u mbrojtën nga avokatet Daniela Paccoi dhe Donatella Panzarola./

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion