Vila 720 mijë € në Dhërmi, SPAK zbulon skemën e dyshuar të përfitimit të Ballukut nga tenderi

SPAK ka zbardhur një tjetër episod të dosjes ndaj Belinda Ballukut, që lidhet me një vilë luksoze në resortin turistik “White Rocks”, në Dhërmi.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, ish-zëvendëskryeministrja dyshohet se ka përfituar një vilë dykatëshe, me vlerë aktuale tregu rreth 720 mijë euro, në këmbim të favorizimit të kompanisë “Eurocol” sh.p.k. në tenderin për rikonstruksionin e godinës teknologjike të Albcontrol.
SPAK pretendon se përfitimi është realizuar përmes një kontrate fiktive porosie, të lidhur në emër të Igli Tares, me vlerë 145 mijë euro.
Sipas hetimeve, në kohën kur zhvillohej procedura e prokurimit, kompania “Eurocol” kishte aplikuar edhe për leje zhvillimore për resortin turistik në Dhërmi.
Prokuroria pretendon se Balluku, në cilësinë e Drejtoreshës së Përgjithshme të Albcontrol, ka ndërhyrë për të krijuar avantazhe të padrejta për kompaninë fituese, duke i siguruar asaj edhe parapagim në masën 50% të kontratës.
Për fshehjen e pasurisë, sipas SPAK, janë përdorur dokumente fiktive në emër të personave të tjerë, përfshirë edhe një kontratë qiraje të lidhur mes Joana Bushit dhe Igli Tares.
Balluku akuzohet për korrupsion pasiv, ndërsa në këtë episod janë përfshirë edhe persona të tjerë të pandehur për pastrim të produkteve të veprës penale.

