"Rezultat i injorancës..." Rama dënon incidentin me këngën serbe në Forumin e BE-së

Politikë

"Rezultat i injorancës..." Rama dënon incidentin me
Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj interpretimit të një kënge nacionaliste serbe në prag të zhvillimit të forumit, duke e cilësuar si një veprim që nuk duhet të kalojë në heshtje. Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se çështja nuk lidhet thjesht me ndjenjat e shqiptarëve, por me nevojën për të mos lejuar rikthimin e retorikave dhe përplasjeve të së kaluarës.

Ai u shpreh se nuk e di nëse interpretimi i këngës ishte rezultat i injorancës, por nënvizoi se një veprim i tillë nuk duhet të kthehet në një situatë të pranuar përmes heshtjes.

“Më lejoni të them diçka rreth një të keqeje që u bë dje përmes muzikës, që nuk duhet të kthehet sot në një të keqe të pranuar përmes heshtjes. Nuk e di nëse ishte rezultat i injorancës, por fakti që një këngë nacionaliste u interpretua në prag të këtij forumi”, deklaroi Rama.

Kryeministri shqiptar sqaroi se reagimi i tij nuk duhet interpretuar si kundërshtim ndaj përpjekjeve për të mbajtur Serbinë të orientuar drejt Evropës.

Ai tha se prej vitesh ka mbështetur rëndësinë e fqinjësisë së mirë dhe të afrimit të Serbisë me Bashkimin Evropian, por kjo nuk do të thotë se duhet të anashkalohen veprime që rikthejnë në vëmendje konfliktet historike.

Rama theksoi se rajoni duhet të lërë pas përplasjet e së kaluarës dhe të fokusohet te bashkëpunimi, duke nënvizuar se njohja e Kosovës nga Serbia do të ishte një hap i rëndësishëm për të gjithë.

“Sa më shpejt që Serbia të njohë Kosovën, aq më mirë do të jetë për të gjithë”, u shpreh kryeministri.

Në vijim të fjalës së tij, Rama bëri thirrje për angazhim të përbashkët në transformimin e rajonit dhe për ndërtimin e një të ardhmeje të bazuar te vlerat evropiane. Ai theksoi se shqiptarët nuk kërkojnë të ndryshojnë identitetin e tyre, por të jenë pjesë e një hapësire ku vendet dhe popujt bashkëjetojnë në frymën e bashkëpunimit.

“Nuk po kërkojmë të bëhemi dikush tjetër. Duam të jemi vetja, por duke bashkëndarë atë që e bën këtë shtëpi një familje ku duam të marrim pjesë”, përfundoi Rama.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion