VIDEO/ U largua nga Brazili pas humbjes në zgjedhje, momenti kur Flávio Bolsonaro mbërrin në Miami me familjen e tij

Senatori brazilian Flávio Bolsonaro ka mbërritur në Miami të SHBA-së, së bashku me familjen e tij, pas humbjes në zgjedhjet presidenciale. Pamjet tregojnë momentin kur ai zbret nga avioni privat dhe largohet nga aeroporti nën shoqërimin e policisë, pa dhënë asnjë deklaratë për mediat.
Avioni privat me të cilin udhëtonte Bolsonaro u ul të mërkurën në aeroportin ekzekutiv Miami-Opa Locka, në Florida. Ai shoqërohej nga bashkëshortja dhe dy vajzat e tij.
I veshur me një jelek antiplumb të zi, senatori u pa duke zbritur nga avioni, ndërsa më pas familja u shoqërua nga efektivë të policisë drejt një automjeti që i priste në aeroport.
Të mbrojtur nga çadrat e zeza, ata u larguan me një automjet Ford Expedition MAX gri të errët. Bolsonaro nuk iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve të pranishëm dhe nuk bëri asnjë koment publik për mbërritjen e tij në SHBA.
Largimi i tij nga aeroporti vjen pas një udhëtimi përmes Argjentinës dhe Ekuadorit, pas humbjes në zgjedhjet presidenciale të së dielës përballë presidentit në detyrë, Luiz Inácio Lula da Silva.

Mbërritja në Miami vjen gjithashtu në një kohë kur senatori përballet me hetime në Brazil, përfshirë dyshime për pastrim parash. Administrata amerikane ka deklaruar se atij dhe familjes së tij do t’u jepen viza për të hyrë në SHBA.
Flávio Bolsonaro është djali i ish-presidentit brazilian Jair Bolsonaro, i cili po vuan një dënim me 27 vite burg për përfshirjen në një përpjekje për grusht shteti pas humbjes së zgjedhjeve të vitit 2022.



