Vetëm 20 sekonda larg policëve, zbardhen momentet e fundit para vras'jes së Arlinda Zekajt

Kosovë&Rajon

Vetëm 20 sekonda larg policëve, zbardhen momentet e fundit para
Detaje të reja mbi rrethanat e vrasjes së Arlinda Zekajt janë bërë publike nga avokati Besnik Berisha, gjatë një interviste për mediat në Kosovë.

Sipas avokatit, ngjarja e rëndë ka ndodhur në prani të disa familjarëve të viktimës, mes të cilëve ish-vjehrra, dy djemtë e kunatit dhe djali i saj. Berisha ka ngritur pikëpyetje mbi sjelljen e personave që ishin të pranishëm dhe mosdhënien e ndihmës ndaj viktimës.

Vëmendje të veçantë avokati i ka kushtuar rolit të ish-vjehrrës së Arlindës, e cila u arrestua dy ditë më parë. Sipas tij, gruaja nuk kishte bërë asnjë përpjekje për t’i ardhur në ndihmë viktimës pas sulmit.

“Dikujt mund t’i jetë dhimbsur një grua e moshuar në stacion, me duar të lidhura, por le ta dinë se ajo grua, me ftohtësinë e saj maksimale, ka thënë se nuk e ka vrarë. Ajo nuk e mori mundimin t’i afrohej nënës së nipit të saj, e la të shtrirë prapa derës, ku u ekzekutua barbarisht”, deklaroi Berisha.

Avokati pretendoi se arrestimi i ish-vjehrrës nuk lidhet vetëm me sjelljen e saj gjatë ngjarjes, por edhe me veprime të dyshuara përpara kryerjes së krimit.

Një prej detajeve më tronditëse të zbuluara nga Berisha lidhet me faktin se viktima ishte ndarë nga efektivët e policisë vetëm pak çaste përpara se të vritej.

“Arlinda ishte ekzekutuar vetëm 20 sekonda pasi ishte ndarë nga policia. As një minutë nuk kishte kaluar, sapo kishte hyrë në derën e shtëpisë, kur u ekzekutua në mënyrën më tinëzare dhe më të tmerrshme, me sopatë, para syve të nënës së saj, e cila ishte dëshmitare e kësaj ngjarjeje tragjike”, u shpreh ai.

Berisha hodhi gjithashtu dyshime se pas krimit mund të qëndrojë ish-bashkëshorti i Arlinda Zekajt, i cili në momentin e ngjarjes ndodhej në burg. Sipas avokatit, ekzistojnë dyshime se vrasja mund të jetë kryer me porosi të tij.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion