Trump bën kthesën e papritur? Presidenti i SHBA-së: Është koha që Ukraina të ketë një president të ri

Presidenti amerikan Donald Trump ka ashpërsuar qëndrimin ndaj homologut ukrainas Volodymyr Zelensky, duke deklaruar se Ukraina duhet të ketë një president të ri, i cili të jetë i gatshëm të arrijë një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës me Rusinë.
Trump kritikoi Zelenskyn për refuzimin, sipas tij, të mundësive të mëparshme për paqe, ndërsa shprehu pakënaqësi edhe për sulmet ukrainase ndaj rafinerive ruse të naftës, të cilat pretendon se ndikojnë në rritjen e çmimeve të karburanteve.
“Unë sugjeroj që ata të gjejnë një udhëheqës të ri që mund të bëjë një marrëveshje. Ai pati shumë mundësi për të bërë marrëveshje, por nuk bëri asnjë”, deklaroi Trump.
Sipas raportimeve, Uashingtoni i kishte kërkuar Kievit të ndalte sulmet ndaj rafinerive ruse. Nga ana e tij, Zelensky kishte propozuar një marrëveshje reciproke, sipas së cilës Ukraina do të ndalte goditjet ndaj objekteve energjetike ruse nëse Moska ndërpriste sulmet ndaj infrastrukturës energjetike ukrainase. Propozimi nuk u pranua nga Trump.
Ndërkohë, presidenti ukrainas kritikoi marrëveshjen e SHBA-së me Rusinë për furnizimin me naftë, duke paralajmëruar se të ardhurat nga shitjet mund të forcojnë Moskën dhe të ndihmojnë financimin e luftës.
“Dhuratat për Putinin nuk do të sjellin paqe apo ndonjë përfitim për botën e civilizuar”, deklaroi Zelensky.
Përplasja e fundit mes dy presidentëve vjen në një moment tensionesh mbi strategjinë e Uashingtonit ndaj Moskës dhe përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.


