Fshiu shënimin kufizues në kartelën e një prone në Selitë, dërgohet në gjyq juristi i ASHK-së (EMRI)

Prokuroria e Tiranës ka dërguar në gjyq juristin e Drejtorisë Vendore të Kadastrës në Vlorë Andi Barjami pasi akuzohet se ka fshirë nga dokumentet e një trualli prej 3250 metrash katrorë në Selitë shënimin që tregonte se prona ishte dhënë për zhvillim një kompanie ndërtimi. Pas këtij veprimi, pronarët e tokës lidhën një kontratë të re me një kompani tjetër, edhe pse sipas Prokurorisë nuk kishte prova se marrëveshja e parë kishte përfunduar ligjërisht.
Çështja nisi me një marrëveshje mes pronarëve të tokës dhe kompanisë “Triumph Company”, e cila kishte marrë përsipër të zhvillonte pronën. Kontrata parashikonte që ndërtimi të përfundonte brenda tre viteve nga marrja e lejes së ndërtimit.
Kjo marrëveshje ishte regjistruar në Kadastër. Në kartelën e pronës ishte vendosur një shënim kufizues, që tregonte se kompania kishte të drejta mbi truallin në bazë të kontratës dhe që shërbente për të mbrojtur këto të drejta nga veprimet e tjera mbi pronën.
Më vonë, pronarët e tokës kërkuan që ky shënim të hiqej, me pretendimin se “Triumph Company” nuk kishte kryer ndërtimin. Ata i kishin dërguar kompanisë edhe një njoftim noterial për ndërprerjen e marrëveshjes.
Kërkesa iu caktua përmes shortit elektronik juristit Barjami, i punësuar në Kadastrën e Vlorës, i cili e fshiu shënimin nga kartela e pronës në Tiranë.
Pas fshirjes, pronarët nënshkruan një kontratë të re me kompaninë “Al Development” për zhvillimin e të njëjtit truall.
Por sipas Prokurorisë, juristi nuk kishte të drejtë ta hiqte shënimin vetëm mbi bazën e kërkesës së pronarëve. Hetimet treguan se pretendimi për moskryerjen e ndërtimit nuk provonte se kontrata kishte përfunduar, pasi afati trevjeçar niste nga marrja e lejes së ndërtimit dhe jo nga nënshkrimi i saj.
Prokuroria vlerëson se me këtë veprim janë cenuar të drejtat e kompanisë “Triumph Company”, ndërsa prona është vënë në dispozicion të një kompanie tjetër.
Për këtë arsye, juristi Barjami. është dërguar në gjyq për “Shpërdorim detyre”.
Lajmi në përditësim


