Valbona Selimllari: “Djemtë të lëndojnë, vajzat jo!” Por çfarë thotë psikologjia?

“Djemtë të lëndojnë, kurse vajzat jo.” Kjo ishte përgjigjja e Valbona Selimllarit kur u pyet se cilët janë më të lehtë për t’u rritur, djemtë apo vajzat. E ftuar në emisionin “Live me Luizin”, ajo foli për përvojën e saj si nënë e tre fëmijëve, duke treguar se marrëdhënia me djemtë ka pasur momente ndonjëherë jo fort të lehta, ndërsa krejt ndryshe ka qenë mëmësia me vajzën. “Vajzat janë dashuri. Fëmija është bekim. Vajza nuk të lëndon, djemtë po. Ata mërziten kur të lëndojnë, por kur ta kuptojnë, mua ma kanë bërë plagë shpirtin”, tha Selimllari.
Ajo pranoi gjithashtu se ka qenë një nënë e rreptë, ndonjëherë edhe më shumë seç duhej, dhe se me vajzën ka zgjedhur një mënyrë tjetër komunikimi, një ndryshim që e ka kuptuar me kalimin e kohës. Përtej përjetimit personal të një nëne, kjo deklaratë prek një temë që psikologët dhe sociologët e kanë studiuar prej vitesh. Sa nga ndryshimet që vërejmë te djemtë dhe vajzat lidhen me temperamentin, sa me zhvillimin emocional dhe sa me mënyrën se si i rrisim?
Një nga studimet më të rëndësishme në këtë fushë është meta-analiza e psikologeve Tara M. Chaplin dhe Amelia Aldao, publikuar në vitin 2013 në revistën prestigjioze Psychological Bulletin. Studiueset analizuan 166 studime me 21 709 fëmijë dhe adoleshentë dhe arritën në përfundimin se djemtë shfaqnin mesatarisht pak më shumë emocione të jashtme, si zemërimi, ndërsa vajzat më shumë emocione të brendshme, si trishtimi dhe ankthi.
Një tjetër këndvështrim vjen nga psikologia Susanne Denham, profesoreshë në George Mason University, e cila, së bashku me Hideko Hamada Bassett dhe Todd Wyatt, ka studiuar mënyrën se si fëmijët mësojnë të kuptojnë dhe të menaxhojnë emocionet. Në studimin e tyre të vitit 2010, botuar në revistën New Directions for Child and Adolescent Development, autorët evidentojnë rolin e rëndësishëm të prindërve në zhvillimin e kompetencës emocionale.
Kjo do të thotë se mënyra se si fëmijët mësojnë të shprehin dhe të menaxhojnë ndjenjat ndikohet edhe nga mjedisi familjar dhe edukimi që marrin. Edhe psikologet sociale Alice H. Eagly dhe Wendy Wood, përmes teorisë së roleve shoqërore, argumentojnë se dallimet në sjelljen e gjinive nuk shpjegohen vetëm nga biologjia, por edhe nga pritshmëritë që shoqëria ndërton për to.

Vajzat dhe djemtë rriten duke marrë mesazhe të ndryshme për mënyrën se si duhet të sillen, të komunikojnë dhe të shprehin emocionet. Këto kërkime ofrojnë dy këndvështrime që plotësojnë njëri-tjetrin: nga njëra anë, ekzistojnë disa dallime mesatare në mënyrën se si fëmijët shprehin emocionet; nga ana tjetër, edukimi dhe pritshmëritë shoqërore ndikojnë në mënyrën se si këto dallime zhvillohen.
Në fund, marrëdhënia me secilin fëmijë është unike. Temperamenti, mosha, karakteri, mënyra e komunikimit dhe dëshira për pavarësi ndikojnë shumë më tepër sesa një ndarje e thjeshtë mes djemve dhe vajzave. Përpos çdo studimi apo përshkrimi klinik ajo që me siguri Valbona Selimllari përshkruan është pikërisht një nga të vërtetat e mëmësisë se dashuria është e njëjtë, por mënyra se si e përjeton dhe e ndërton marrëdhënien me secilin fëmijë nuk është kurrë identike.


